Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për pesë të dyshuarit të përfshirë në gjuajtjen me armë në rrugën ‘Gazmend Zajmi’ në Aktash të Prishtinës, ku mbet një i vrarë dhe disa të plagosur.
Gazeta Insajderi raportoi se gjykata të martën ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Korab Gashin, Valdrin Ademin, Robert Llumnicën, Salih Sekiraqën dhe Fatos Abazin
Gjykimi u mbajt përbrenda hapësirave të QKUK’së.
Në aktvendimin të cilin e ka parë Insajderi, thuhet se avokati i Salih Sekiraqës, Naser Sopjani, ka deklaruar se ky i fundit ishte duke qëndruar në lokal me të birin e tij 12-vjeçar në natën kritike.
“E kundërshtojmë kërkesën e prokurorisë, pasi që nuk ekziston asnjë nga kushtet e caktuara që flasin se Salih Sekiraqa, fillimisht të ketë kryer ndonjë vepër penale. Përkundrazi, në këtë rast penal, ai mund të jetë vetëm në cilësi të të dëmtuarit, sepse i njëjti është sulmuar në befasi, në lokalin e tij, ku ka qenë i ulur në tavolinë, së bashku me djalin e tij 12 vjeçar dhe është sulmuar me armë zjarri nga persona të panjohur me armë AK47 në një distancë jo më larg se 2 metra, derisa Salihu ka qenë ulur në tavolinë”, citohet të ketë thënë në aktvendim mbrojtja e Sekiraqës
Në anën tjetër, avokati Adhurim Gashi, pjesë e mbrojtjes së Valdrin Ademit, ka refuzuar kërkesën e prokurorisë dhe ka kërkuar që klienti i tij të trajtohet në spital. Tek pastaj t’i vendoset një masë alternative sikurse është arresti shtëpiak.
Mbrojtja e të pandehurit Korab Gashi ka pretenduar se ky i fundit ka qenë vetëm palë e dëmtuar në natën kritike
“E kundërshtojmë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, me arsyetim se për klientin tim është bërë kualifikimi gabimisht i gjendjes faktike dhe me këtë rast, edhe kualifikimi gabim i veprës penale. Të njëjtën kërkojmë nga gjykata ta refuzojë si të pabazuar. Po ashtu, deklarojmë se klienti im në këtë rast është palë e dëmtuar në ditën dhe datën e cekur si në kërkesë të prokurorisë”, citohet të ketë thënë avokatja Donikë Krasniqi në aktvendimin që ka parë Insajderi.
Edhe avokati i Robert Llumnicës, Arlind Jupolli, ka deklaruar para trupit gjykues se klienti i tij është vetëm viktimë në ngjarjen tronditëse të së dielës.
Po ashtu mbrojtja e Fatos Abazit ka pretenduar se ky i fundit ka qëlluar rastësisht në lokalin ku ka ndodhur ngjarja dhe s’e ka përdorur armën.
“Dua të theksoj se i pandehuri Fatos, ditën kritike nuk ka pasur armë, nuk e ka përdorur dhe i njëjti ka qenë i plagosur menjëherë dhe nuk ka qenë në gjendje të qëndrojë në këmbë dhe të dal jashtë lokalit, e lëre më të dal jashtë lokalit dhe të përdor armën”, citohet të ketë deklaruar ndër të tjera avokati Mentor Neziri.
Gashi dhe Ademi dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”. Ndërkaq të pandehurit Llumnica, Sekiraqa dhe Abazi dyshohen për veprën penale “vrasje e rëndë”.
Nga ngjarja tragjike e së dielës mbeti pa shenja jete Premtim Gashi, pjesë e familjes së “Capave”.
Pesë të dyshuarit u arrestuan në vendngjarje, teksa policia ka bërë të ditur se është në kërkim edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.