Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar seanca e Apelit ndaj Pjeter Shalës, në të cilën ai është i pranishëm përmes video-lidhjes.
Aty u bë e ditur se Shala kishte dorëzuar 14 pika apelimi kundër vendimit të Gjykatës Themelore, me të cilin ai u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në apelimin e tij, sipas gjyqtares Michele Picard, Shala ka thënë se trupi gjykues në rastin e tij ka kryer gabime juridike dhe faktike, si dhe ka gabuar në dhënien e dënimit.
Si rrjedhojë, sipas kërkesës, gjyqtarja thotë se Shala ka kërkuar që të anulohet dënimi ndaj tij dhe të shpallet i pafajshëm nga të gjitha akuzat. Po ashtu, si alternativë është kërkuar kthimi i çështjes në rigjykim dhe nëse është nevojshme të jepet një dënim i duhur për të.
Prokuroria dhe mbrojtësi i viktimave e kanë kundërshtuar apelimin, duke kërkuar që kërkesa e Shalës të rrëzohet tërësisht ose pjesërisht.
Ndryshe, më 28 mars 025 është hedhur poshtë një kërkesë e mbrojtjes që në Apel të thirret Sokol Dobruna si dëshmitar i saj.
Në vendimin e saj, kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard ka thënë se provat e propozuara nuk do të ndikonin në aktgjykimin ndaj Shalës në rast që ato do të ishin pranuar gjatë gjykimit në shkallë të parë, ku Shala u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte.
Ndryshe, Pjetër Shala i përfaqësuar nga mbrojtja e tij, kishte dorëzuar në Apel kërkesën kundër urdhrit për zhdëmtim që iu shqiptua më 29 nëntor 2024, i cili e obligonte që t’iu paguante viktimave 208 mijë euro.