Kryeministri Albin Kurti në një konferencë të përbashkët me ministrin në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq tha se Serbia ndërhyri në zgjedhjet, duke përdorur të paktën 10 metoda. Ai tha se Serbia ka ndikuar në përzgjedhjen e deputetëve serb dhe të pakicave joserbe, e të cilët janë nën kontrollin e plotë të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të qeverisë e të inteligjencës e të krimit të organizuar atje.
Kurti tutje tha se Presidenti i Serbisë ka inkurajuar çdo aktor shtetëror e joshtetëror serb që të përfshihet në zgjedhjet e Kosovës. Për këtë qëllim, rol ekzekutiv ka pasur kryeterroristi Millan Radoiçiq apo njeriu i cili ka marrë detyrat për Kosovën nga Vuçiq.
Kryeminsitri në detyrë më tej tha se secili nga 7 të preferuarit e kryeterroristit Millan Radoiçiq kanë së paku nga 2.000 vota më shumë se sa të tjerët.
Adresimi i kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët për media me ministrin Nenad Rashiq në lidhje me ndërhyrjet e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit:
Të nderuar gazetarë dhe punonjës të tjerë të mediave,
Të dashur qytetarë,
Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet tona parlamentare është një cenim që i bëhet demokracisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ajo ka ndikuar në përzgjedhjen e deputetëve serb dhe të pakicave joserbe, e të cilët janë nën kontrollin e plotë të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të qeverisë e të inteligjencës e të krimit të organizuar atje. Kësisoj, Serbia orvatet që vendin tonë ta mbajë peng jo vetëm në zhvillimin e brendshëm politik, por edhe në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në zgjedhjet e fundit, format e ndërhyrjes kanë ndryshuar, për shkak të përmirësimit të dukshëm të gjendjes së sigurisë në katër komunat veriore si rezultat i sundimit të rendit dhe të ligjit, luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale dhe terroriste si dhe mbylljes së strukturave ilegale. Ndikimi i dikurshëm brutal fizik, përfshirë këtu edhe rrahjet e vrasjet, nuk ka qenë i mundur më. Si zëvendësim, janë rritur format e tjera të kërcënimeve hibride – kryesisht joshja dhe kushtëzimi financiar, shantazhi e frikësimet e kërcënimet por edhe sulmet kibernetike.
Vetë Presidenti i Serbisë ka inkurajuar çdo aktor shtetëror e joshtetëror serb që të përfshihet në zgjedhjet e Kosovës. Për këtë qëllim, rol ekzekutiv ka pasur kryeterroristi Millan Radoiçiq apo njeriu i cili ka marrë detyrat për Kosovën nga Presidenti i Serbisë.
Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht partinë Për Liri, Drejtësi e Mbijetesë (Za Slobodu i Pravdu Opstanak – SPO) të Nenad Rashiqit, ministrit të Qeverisë sonë për Komunitete dhe Kthim, dhe Demokracija Serbe (Srpska Demokratija) të Aleksandar Arsenijeviq, por po ashtu edhe votuesit e subjekteve të komuniteteve tjera, kryesisht romë e ashkalinj.
Përfaqësues të caktuar nga pothuajse të gjitha subjektet tjera politike serbe, janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë. Këto raste janë shënuar edhe në katër komunat veriore, e edhe në gjashtë komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë. Për shumicën e këtyre rasteve, institucionet tona kanë dëshmi, të cilat për hir të privatësisë dhe sigurisë së qytetarëve serb nuk është e dobishme të bëhen publike.
Organet tona të rendit, bazuar në dëshmitë e disa qytetarëve të komunitetit serb që tregojnë për ndërhyrje të drejtpërdrejt në procesin zgjedhor, më 21 shkurt të këtij viti, kanë bastisur dhe mbyllur disa prej të ashtuquajturave “Qendra për çështje sociale” në katër komunat veriore, të cilat janë përdorur për të joshur apo shantazhuar votuesit nga radhët e komunitetit serb që të votojnë për Listën Serbe.
Në këtë skemë të ndërhyrjes kemi identifikuar shtatë instanca apo aktorë shtetërorë e joshtetërorë të Serbisë:
1. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq;
2. Kryeterroristi Millan Radoiçiq;
3. Drejtori i të ashtuquajturës zyra serbe për Kosovë, Petar Petkoviq;
4. Agjencia e Inteligjencës së Serbisë BIA;
5. Mediat serbe të kontrolluara nga pushteti në Beograd;
6. Lista Serbe;
7. Struktura ilegale, përfshirë këtu Bankën Postare Kursimore, Qendrat Sociale, zyrat e pensioneve, MTS/Telekomi i Serbisë, si dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Janë përdorur të paktën 10 metoda:
1. Joshja financiare, përmes përfitimit të mbështetjes financiare prej 20.000 dinarësh ose rreth 170 euro, në baza mujore për të gjithë personat e moshës madhore që janë të papunë;
2. Kushtëzimi financiar, përmes rrezikimit të humbjes së beneficioneve financiare, aty bëjnë pjesë pagat, pensionet, shtesat për fëmijë, ndihmat sociale e të tjera;
3. Përçarja e rivalëve të Listës Serbe;
4. Shantazhi e presioni për të mos mbështetur në asnjë formë subjektet e tjera përveç Listës Serbe;
5. Kërcënimi për t’u larguar edhe nga Këshillat e Vendvotimeve;
6. Regjistrimi i të ashtuquajturve “votuesve të sigurtë”, përkatësisht përpilimi i listave të caktuara si “votues të sigurtë” nga pikëpamja e tyre;
7. Transporti i organizuar i votuesve nga Serbia në Kosovë;
8. Organizimi i votimit kolektiv në qendra votimi;
9. Kontrollimi i votuesve gjatë ditës së zgjedhjeve në afërsi të qendrave të votimit;
10. Shenjëzimi i fletëvotimeve.
Ndërhyrja me këto së paku 10 metoda është realizuar në tri faza:
I. para fushatës zgjedhore;
II. Gjatë fushatës zgjedhore;
III. Gjatë ditës së zgjedhjeve deri në përfundim të procesit zgjedhor.
Në fazën e parë, pra atë të para fushatës zgjedhore, Presidenti i Serbisë, ka deklaruar vazhdimisht se “vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë”. Ai ka inkurajuar të gjithë aktorët e tjerë shtetërorë e joshtetërorë serb që ta cenojnë gjithë procesin zgjedhor në Republikën e Kosovës. Krahas kësaj e për të njëjtin qëllim, Presidenti i Serbisë e ka autorizuar kryeterroristin Radoiçiq për të zhvilluar planin e ndërhyrjes në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Në kuadër të këtij plani ka qenë përpilimi i listave me “votues të sigurtë”. Listat e tilla i kanë përmbajtur, së paku 50 persona – “votues të sigurtë”.
Sipas urdhrit, këta të ashtuquajtur “votues të sigurt” janë kërcënuar se, nëse nuk do ta votojnë Listën Serbe, do të kenë pasoja. Pjesëtarë të strukturave ilegale serbe janë kërcënuar nga Millan Radoiçiqi, përmes Ivan Zaporozac, kryetarit të komunës ilegale të Mitrovicës, që të raportojnë të gjithë ata persona që refuzojnë ta votojnë Listën Serbe, të nënshkruhen në listat e të ashtuquajturve “vota të sigurta” apo që të deklarohen se do t’i bojkotojnë zgjedhjet.
Përveç listës së “votuesve të sigurtë”, është diktuar edhe lista me shtatë kandidatët e Listës Serbe të domosdoshëm për votim. Pra, Beogradi ka përpiluar listë ku shtatë kandidatë patjetër duhet të votohen, ndërkaq tre të tjerë janë lënë të lirë për qytetarët. Lista përmbante këta emra: Zlatan Elek, Sllavko Simiq, Igor Simiq, Branislav Nikoliq, Verica Ceraniq, Sërgjan Popoviq dhe Liljana Stefanoviq. Të gjithë këta edhe janë zgjedhur. Secili nga 7 të preferuarit e kryeterroristit Millan Radoiçiq kanë së paku nga 2.000 vota më shumë se sa të tjerët.
Krahas sigurimit të mbështetjes për Listën Serbe nga votuesit serb, plani për ndërhyrje në këto zgjedhje përfshinte edhe zgjerimin e bazenit të votave për Listën Serbe edhe nga komunitetet joshumicë joserbe. Andaj ishte urdhëruar që subjekti politik nga komuniteti rom Romani Iniciativa të mos merrte pjesë fare në zgjedhje dhe i njëjti subjekt ta mbështeste Listën Serbe.
Më tej, deputetët e opozitës në Kuvendin e Serbisë, me prejardhje nga Kosova, gjithashtu kanë qenë të përfshirë në ndërhyrjet nga jashtë në zgjedhjet tona parlamentare. Zharko Ristiq, nën udhëzimet dhe direktivat e shërbimeve serbe të inteligjencës dhe pushtetit në Beograd, ka ndikuar në përçarjen e liderëve të partive të tjera serbe, rivale të Listës Serbe, në kohën kur partitë ndodheshin në përgatitje të fushatës së tyre zgjedhore. Ristiq, duke u shtirur se është për bashkimin e këtyre në një listë të vetme, përmes ndërhyrjeve të ndryshme, në fakt e ka bërë saktësisht të kundërtën e kësaj – përçarjen e tyre, pra në emër të bashkimit i ka përçarë. Bashkimi eventual në një listë të vetme do t’ia rrezikonte substancialisht mandatet Listës Serbe.
BIA serbe po ashtu është angazhuar në këtë mes duke detyruar kandidat të caktuar që të pozicionohen sipas interesave të Serbisë, përmes ushtrimit të presionit dhe kërcënimeve me arrestim të atyre që nuk ju binden urdhrave.
Filialet e “Bankës Postare të Kursimeve/Postanska Banka Stedionica” që veprojnë në afërsi të pikë-kalimeve kufitare Kosovë-Serbi, janë urdhëruar që të evidentojnë të gjithë serbët të cilët tërheqin para nga kjo bankë. Ato të dhëna të përmbledhura, si regjistra, i janë dorëzuar drejtuesit të të ashtuquajturës zyrë për Kosovë, Petar Petkoviqit, në mënyrë që të shantazhohen për të votuar Listën Serbe.
Në fazën e dytë, atë të fushatës, ka dominuar joshja financiare dhe kërcënimet në drejtim të kundërshtarëve politikë të Listës Serbe. Joshja financiare është realizuar përmes planit për mbështetje sociale ndaj personave që nuk janë përfitues të ndihmave të ndryshme nga Serbia e që ishte planifikuar të fillojë në shkurt të vitit 2025, pikërisht kur ishin edhe zgjedhjet, dhe atë me shumë të paracaktuar prej 20 mijë dinarë apo rreth 170 euro. Kjo nuk ishte mbështetje për qytetarë. Në fakt ishte pako financiare për kushtëzim të votës së qytetarëve të komunitetit serb për Listën Serbe dhe ndërhyrje në zgjedhjet tona parlamentare. Votuesve që përfitonin nga këto skema sociale u ishin fotografuar letërnjoftimet dhe ndërkohë u ishin përcjellë mesazhe shantazhuese që “në qoftë se nuk votohet Lista Serbe, do t’u ndalen të gjitha pagat dhe të gjitha benefitet e tjera që i kanë nga Serbia”. Kjo metodë e kushtëzimit të votës dhe presionit mbi votuesit përmes kërcënimit për ndalimin e benefiteve sociale është evidentuar edhe në raportin e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian.
Raste të kërcënimeve direkte ndaj anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të subjekteve tjera serbe, rivale të Listës Serbe, janë evidentuar edhe në rajonin e Pejës. Ata janë kërcënuar që të largohen nga pozitat e tyre, ose do të kenë pasoja direkte në ndaljen e të gjitha të ardhurave që ata i pranojnë nga Serbia. Madje janë kërcënuar se nëse i paraqesin rastet në polici, atëherë do të kenë pasoja edhe më të mëdha, përfshirë edhe familjarët e tyre.
Më 22 janar 2025, nga persona të panjohur, janë dëmtuar posterët zgjedhorë në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan të subjektit politik Srpska Demokratija – Demokracia Serbe të Aleksandar Arsenijeviqit. Në Kllokot, në orët e vona të 24 janarit 2025, me koktej molotovi është sulmuar pankarta e kandidates Divna Bojiq Andreus nga radhët e subjektit Srpski Narodni Pokret apo Lëvizja Popullore Serbe.
Ndërkaq, ministri për Komunitete dhe Kthim z. Nenad Rashiq në vazhdimësi është kërcënuar nga Millan Radoiçiq dhe persona të afërt të tij, duke tentuar që ta shantazhojnë me forma të ndryshme të fabrikimeve për t’ia dëmtuar reputacionin te votuesit serbë dhe për ta detyruar që të tërhiqet nga gara. Ai dhe ministria që drejton gjithashtu kanë qenë cak edhe i sulmeve kibernetike, me ç’rast profili i Nenad Rashiq dhe ministrisë në rrjete sociale janë hakuar.
Dhe faza e tretë e ndërhyrjes në zgjedhjet tona ka përfshirë transportin e organizuar të votuesve nga Serbia për në Kosovë, organizimi i votimit kolektiv pastaj në qendra votimi, kontrollimi i votuesve gjatë ditës së zgjedhjeve në afërsi të qendrave të votimit si dhe shenjëzimi i fletëvotimeve.
Në afërsi të qendrave të votimit në komunat me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore, kanë qëndruar persona të cilët kanë ushtruar presion te votuesit serbë. Shumica prej tyre kanë qenë ish policë të dorëhequr në nëntor të vitit 2022. Në komunën e Shtërpcës, persona të caktuar kanë tentuar që përmes premtimeve të mëdha financiare të ndikojnë te personat me qasje në procesin zgjedhor, që t’i dëmtojnë dhe anulojnë qindra vota të subjekteve politike rivale të Listës Serbe. Kurse me qëllim të mobilizimit dhe ushtrimit të presionit ndaj votuesve serbë, ishte marrë vendim i prerë që të anulohen të gjitha pushimet vjetore gjatë kohës së zgjedhjeve dhe janë urdhëruar të gjithë qytetarët që kanë qenë në Serbi të kthehen në Kosovë.
Në gjithë këtë skemë, mediet serbe të kontrolluara nga Beogradi zyrtar dhe fushatat dezinformuese kanë qenë elemente kyçe. Vetë Presidenti i Serbisë Vuçiq, ka qenë njeriu që ka krijuar më së shumti ndikim te mediat serbe kur është folur për zgjedhjet në Kosovë. Gjuha publike e politike e tij ka inkurajuar çdo aktor shtetëror e joshtetëror të Serbisë që të përfshihet në ndërhyrjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Mediat e kontrolluara nga pushteti në Beograd kanë raportuar jo vetëm anshëm dhe në të mirë të Listës Serbe, por edhe me dezinformata e me përmbajtje të manipuluara. Tri kanë qenë narracionet kryesore të këtyre medieve në këto zgjedhje: e para – se rivalët e Listës Serbe janë shërbëtorë të shqiptarëve; e dyta – se vetëm Lista Serbe e ruan qenien serbe në Kosovë; dhe e treta – se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë si Kryeministër e duam një Kosovë pa serbë.
Në këto narracione të rreme dhe fushatën agresive mediatike janë përfshirë zyrtarë e politikanë serbë si Petar Petkoviqi, por edhe të tillë që i njohim shumë mirë nga apartheidi në Kosovë në vitet e 90’ta, si Millovan Drecun e Zoran Anxhelkoviq.
Në luftën informative ndaj procesit zgjedhor, janë përfshirë edhe mediet ruse, përkatësisht dy përfaqësitë e medieve shtetërore ruse në Serbi: Sputnik Srbija dhe Russia Today Balkan.
Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian në raportin e tyre preliminar, ndër të tjera evidenton se Russia Today Balkan dhe Sputnik Srbija, të mbështetura nga Rusia, kanë publikuar rreth 60 artikuj mbi zgjedhjet, disa prej tyre me narrativa që pretendojnë manipulime kundër komunitetit serb. I njëjti raport, thekson mbulimin dominues të Listës Serbe nga mediat serbe në Serbi dhe mediet lokale serbe në Kosovë, në kontrast me partitë dhe politikanë të tjerë serb në Kosovë.
Të nderuar gazetarë, të dashur qytetarë,
Për fund, dua të theksoj se përkundër gjithë kësaj skeme dhe inxhinieringut të aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë të Serbisë për të diktuar përfaqësimin politik të komunitetit serb në Kosovë, megjithëkëto rreth 20 për qind e votuesve serbë kanë votuar parti tjera nga Lista Serbe.
Tash e katër vjet e dijmë që Serbia nuk mban në Kosovë as zgjedhjet e as referendumet e saj, zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 kanë dëshmuar megjithatë ndërhyrjen e Serbisë në procesin zgjedhor, por në të njëjtën kohë, edhe ndikimin në rënie të Serbisë te qytetarët serbë të Republikës së Kosovës. Pra mund të thuhet se përkundër ndikimit të Serbisë, këto zgjedhje kanë treguar që po lind pluralizmi politik edhe tek serbët në Kosovë.
Ndërkaq, numri i qytetarëve serbë që kanë marrë pjesë në zgjedhje e ka rrëzuar përfundimisht propagandën agresive të Serbisë në vitet e fundit për kinse largim masiv të serbëve nga Kosova. Kjo natyrisht që nuk është e vërtetë.