Gazetari Valon Syla ka renditur disa prej arsyeve për të cilat ai thotë që kanë ndikuar negativisht te performanca e partive opozitare – PDK, LDK dhe koalicionit AAK dhe Nisma – në zgjedhjet e fundit.
Syla ka përmendur tri arsye kryesore lidhur me këtë. E para, siç ka thënë ai, është diskursi i promovuar për të sulmuar kundërshtarët politikë duke u thënë që janë të lidhur me Serbinë.
“Aq shumë janë akuzu njerëzit dhe është përdorë për diskreditimin e kundërshtarëve politikë, sa që edhe kur ta nxejsh sot dikë me Serbi ma nuk e beson kërkush”, ka thënë Syla, duke thënë që ka qenë edhe partia e Haradinajt që ka përdorur këtë diskurs, kreysisht duke e lidhur Kurtin me Serbinë, e përdorur si parullë edhe në analiza mediale.
“Mendoj që ka qenë e gabuar dhe e tepruar dhe gjë që nuk e beson askush nga elektorati, së paku nga 40%-shi [që e ka votuar Vetëvendosjen]”, ka thënë Syla.
Tutje, Syla ka kritikuar edhe mënyrën që disa parti kanë zgjedhur të garojnë në zgjedhje përmes nocioneve politike të lidhura me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“UÇK e ka sjellë pavarësinë e Kosovës dhe e ka kry punën e vet historike, dhe me ata njerëz janë fitu disa palë zgjedhje lokale e nacionale, por me këtë diskurs nuk mund të fitohen shtatë palë zgjedhje, janë fitu ato që janë fitu deri sot”, ka thënë Syla, duke shtuar që AAK e ka stërtheksuar dhe stërkonsumuar këtë gjatë fushatës.
“Ky elektorat që është me Kurtin, nuk ia nin fort për Kurtin, por është kapë me të kundër arsyeve që i përmenda më lart. është diskursi i stërvjetruar që lidhet me Serbinë, është me UÇK-në e me rugovizmin dhe është konsumimi i disa politikanëve”, ka konkluduar Syla.