Live

ShBA-ja po shqyrton vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Huaweit

17:01 / 03 Dhjetor 2019

Nga Kosova Live

Administrata amerikane po e shqyrton ndalimin e kompanisë kineze “Huawei” nga sistemi financiar i SHBA-së, si pjesë e një sërë masash që po planifikohet të ndërmerren ndaj gjigantit të pajisjeve të telekomit.

Kështu kanë bërë të ditur për Reuters, burime të afërta me këtë çështje.

Kjo kompani tashmë përballet me disa sanksione të SHBA-së, pasi nga autoritetet amerikane konsiderohet se përbën rrezik për sigurinë kombëtare.

Një nga zyrtarët, i cili e favorizon këtë veprim, ka thënë se masa mund të merret në muajt e ardhshëm, në varësi të mënyrës se si shkojnë gjërat me Huawein.

Plani është shqyrtuar nga Këshilli për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë.

Një masë e tillë mund ta bëjë praktikisht të pamundur që një kompani të kryejë transaksione në dollarë amerikanë.

Zyrtarët e administratës amerikane hartuan një memorandum dhe mbajtën takime ndër-institucionale për këtë çështje, tha njëri nga burimet.

Huawei nuk iu përgjigj një kërkese për të komentuar këtë çështje.

Qeveria e SHBA-së ka ngritur kallëzime penale kundër Huaweit, duke pretenduar vjedhjen e sekreteve tregtare, mashtrim bankar, shkelje të sanksioneve të SHBA-së kundër Iranit, dhe po përpiqet të bindë vendet aleate për të ndaluar këtë kompani nga rrjeti 5G.

“Kërcënimi për të pasur sisteme kineze të telekomit brenda rrjeteve amerikane, ose brenda rrjeteve në të gjithë botën, paraqet një rrezik të madh, një rrezik të sigurisë kombëtare”, ka deklaruar më 20 gusht, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Më 21 nëntor, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se i ka kërkuar shefit të kompanisë amerikane të teknologjisë, “Apple”, Tim Cook, të angazhohet dhe të ndihmojë në zhvillimin e infrastrukturës së rrjetit 5G.

Rrjeti 5G paraqet gjeneratën e fundit të qasjes në internet që karakterizohet me një shpejtësi të madhe të shkarkimit.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...