Live

Shefi i FFK-së Ademi po merret në pyetje nga policia

11:37 / 22 Mars 2023

Nga Kosova Live

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është duke u marrë në pyetje nga policia në këto çaste.

Policia dje i kishe bërë thirrje Ademit të paraqitej në stacionin policor dhe ai e ka bërë një gjë të tillë të mërkurën në mëngjes.

Nuk është bërë e ditur nga policia se për çfarë saktësisht i është kërkuar 61-vjeçarit të paraqitej sot për marrje në pyetje në stacion policor.

Por Gazeta Nacionale mëson se rasti ka të bëjë me dyshimet për krime ekonomike brenda federatës gjatë sundimit të Ademit tashmë pesëvjeçar.

“Të gjitha procedurat e mëtejme do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, tha dje Policia e Kosovës.

Dje u mor në pyetje Agim Gashi, zyrtar financiar në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Javën e kaluar, Ademi u shpall i pafajshëm lidhur me akuzat për detyrim në një rigjykim të tejzgjatur.

Ademi bashkë me Muharrem Ramën akuzoheshin se në vitin 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar të dëmtuarin Dritëro Kadolli, duke i kërkuar t’i jepte 30 mijë euro ose një “BMW X5”.

Prokuroria pritet të ankohet ndaj këtij vendimi.

Shefi i futbollit në vend u përball me autoritetet përsëri dhe në prag të fillimit të një fushatë tejet të rëndësishme të Kosovës në kualifikime për Kampionatin Evropian 2024.

Kosova e nis atë që do të jetë fushata e dytë kualifikuese për një evropian këtë të shtunë me 25 mars përballë Izraelit në Tel Aviv.

Tri ditë më vonë, të martën më 28 mars, dardanët e presin Andorrën në Fadil Vokrri në Prishtinë.

Shpërndaje në

U Kopjua