Live

Shpërfillja e Prokurorisë për gurthemelin e një kopshti për fëmijë: Pse Kurti s’po dëshmon për rezervat?

16:45 / 04 Mars 2025

Nga Kosova Live

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shpërfilli sot sërish Prokurorinë Speciale. I ftuar të paraqitej me urdhër nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për të dëshmuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore, Kurtit nuk iu bë vonë. Ai mori rrugën për Gjilan, ku mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të një kopshti për fëmijë.

Nga atje, kryeministri i ftoi sërish hetuesit e Prokurorisë Speciale që të shkojnë në zyrën e tij dhe akuzoi këtë institucion, se më shumë është i interesuar “të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjellë drejtësi”.

“Shtrohet pyetja pse i humb prokuroria tre muaj. Për shkak se është më shumë i interesuar të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjellë drejtësi. Kurrë prokuroria e shtetit nuk ka qenë më e lirë për të vepruar. Fatkeqësisht lirinë po e përdorë, po e keqpërdorë për ta luftuar qeverinë dhe jo krimin e korrupsionit.

Së pari asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të jap dëshmi ose nëse e refuzoj, kam thënë që jam jo vetëm i gatshëm, por edhe i interesuar që të dëshmoj. Unë i mirëpres prokurorinë e shteti në Zyrën e Kryeministrit. Jo vetëm si dëshmitar apo edhe të pandehur. Qysh në dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime. Nëse prokuroria e ka pasë shumë të rëndësishme dëshminë time ai do të vinte tek ne”.

Mosparaqitjen e tij e konfirmoi Prokuroria Speciale përmes një njoftimi për media.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veproj duke respektuar legjislacionin në fuqi.”

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar ditë më parë se ka lëshuar urdhër që e obligon Kurtin të japë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit, në një rast që ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Urdhri ka ardhur pasi kryeministri nuk u është përgjigjur dy ftesave që ia ka bërë Prokuroria në muajt e fundit.

Vetë kryeministri ka thënë disa herë se nuk i ka refuzuar ftesat, por ka insistuar që dëshminë ta japë në zyrën e tij në Kryeministri.

Zyra e tij ka thënë, po ashtu, se i ka dërguar kërkesë Gjykatës Themelore për ta urdhëruar Prokurorinë që ta marrë dëshminë e Kurtit në Kryeministri.

Kurti pretendon se Prokuroria ka marrë dëshmi në zyrën e kryeministrit edhe në të kaluarën – pa përmendur ndonjë emër – ndërsa refuzimin e tij për të shkuar në Prokurori e arsyeton duke thënë se nuk dëshiron të bëhet “lajm botëror”, që kinse kryeministri po dyshohet për një rast korrupsioni.

Shpërndaje në

U Kopjua