Live

Sot i jepet lamtumira e fundit Arbnora Bashës që mbeti dje e vdekur bashkë me shoqen e saj në aksidentin tragjik

15:58 / 15 Mars 2025

Nga Kosova Live

Kosova dje është tronditur nga vdekja e dy vajzave të reja si pasojë e aksidentit tragjik në aksin rrugor të fshatit Domorovc-Hodonovc, në Ranillug.

Arbnora Basha dhe Antiana Thaqi humbën jetën pasi nuk arritën t’iu mbijetojnë lëndimeve të marra nga aksidenti, ndërkaq motra e Arbnorës e cila po ashtu ishte në veturën e aksidentuar, mbeti e lënduar dhe po trajtohet në spital.

E reja Basha do të varroset sot në 16:00, në varrezat e fshatit Hodonoc, sipas njoftimit që kanë bërë familjarët.

Përveç informacioneve zyrtare nga Policia për aksidentin, tashmë janë zbardhur edhe disa detaje të reja në lidhje me këtë rast tragjik

Fillimisht u raportua se bëhej fjalë për një vetaksident, ku ishte e përfshirë vetëm vetura Golf VII me targa 06, e cila po drejtohej nga njëra prej viktimave, por më vonë, pas hetimeve më të detajuara dhe shikimit të kamerave të sigurisë, Policia njoftoi se është ngritur dyshimi se bëhet fjalë për aksident ku u përfshi edhe një kamion.

Sipas njoftimit të Policisë, dyshohet se shoferi i kamionit si pasojë e kthimit të pasigurt e ka penguar lëvizjen e veturës e cila ishte në tejkalim dhe shoferja e veturës nga mos përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës e ka humbur kontrollin, duke tentuar ta shmangë goditjen e kamionit dhe për pasojë vetura ku ndodheshin tri vajzat përfundoi e rrokullisur jashtë rrugës.

Shpërndaje në

U Kopjua