Live

Sot vazhdon seanca konstituive, a do të jetë “e treta e vërteta”?

08:00 / 19 Prill 2025

Nga Kosova Live

Sot me fillim nga ora 12:00 do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

As në seancën e kaluar nuk arriti të formohet legjislatura e nëntë, kjo pasi kryesuesi Avni Dehari, e ndërpreu seancën për shkak mosdakordimit të të zgjedhurve për të ecur tutje.

Partitë opozitare që ishin në mandatin e kaluar nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre.

Ato duan dorëheqjen formale të Albin Kurtit dhe kabinetit të tij qeveritar.

Po ashtu përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK, patën edhe shumë ankesat për kryesuesin Dehari, duke thënë se ka bërë shkelje të rënda procedurale gjatë udhëheqjes së seancës.

Derisa, për numrat, i pari i qeverisë në detyrë se tha as edhe një fjalë, duke iu shmangur pyetjeve të vazhdueshme të gazetarëve.

Nga koalicioni fitues LVV-Guxo dhe Alternativa, thonë se i kanë numrat për votimin e kryetarit të Kuvendit.

Haxhi Avdyli, kishte deklaruar në KTV se kanë një dakordim me Nismën Socialdemokrate.

Derisa, Emilja Rexhepi, zëvendëskryeministre në detyrë, ka thënë se VV po bisedon me NISMA-n rreth dy ose tre emrave për kryeparlamenarin.

Mbetet të shihet nëse Vetëvendosje, do të arrijë t’i bëjë numrat për ta votuar kryetarin e Kuvendit.

Herën e parë seanca konstituive u ndërpre, për shkak të moskalimit të raportit të Komisionit për Verifikimin e mandateve të deputetëve.

Shpërndaje në

U Kopjua