Avdullah Hoti kërkoi lidership të ri brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke e lidhur këtë kërkesë me rezultatin që partia shfaqi në zgjedhjet e 9 shkurtit. Kërkesa e tij nuk u prit aspak mirë nga krahu i kryetarit aktual të partisë, Lumir Abdixhiku, u cilësua si e pabazuar dhe qesharake.
Lidhur me këtë “përçarje” të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk ka dashur të hyjë në këtë mes ish-kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa.
“Nuk dëshiroj të involvohem në këtë temë.“, tha shkurt ai për Insajderin.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, e ka quajtur kërkesën e Avdullah Hotit “qesharake”.
Kica-Xhelili tha se struktura e LDK-së mbështet fuqishëm kryetarin aktual, Lumir Abdixhiku.
Sipas saj, Abdixhiku ka bërë ngritje historike të partisë, duke arritur një rritje prej 70%.
“Si nënkryetare e LDK-së, deklaroj se kjo është kërkesë qesharake. Strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë kryetarit aktual të partisë, i cili partinë e mori me rënien më të madhe historike në 12%, dhe e ktheu në trendin më të madh historik të ngritjes (me 70% rritje)”, ka thënë Kica-Xhelili.
Ndërkaq, nënkryetari, Lutfi Haziri, përmes një shkrimi në Facebook, tha se “LDK nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë”.
“Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, erdhi nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik”, ka thënë ai mes tjerash në reagim.
Pas deklaratës së Hazirit, reagimi i ish-nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu, ishte i menjëhershëm.
Ai dha kritika të ashpra ndaj atyre që i dolën në mbrojtje kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Veliu kritikoi edhe ata që po e mbrojnë liderin e partisë, duke u shprehur se janë për keqardhje ta mbrosh dikë që po e çon një parti politike drejt degradimit.
Veliu tha se lideri i partisë po e dërgon në “theqafje një familje të madhe politike”.
“Është për keqardhje të detyrojnë, apo të vetëdetyrohesh për t’ia mbajtur ison shefit dhe të dalësh publikisht e ta mbrosh ‘liderin’ që po e dërgon në theqafje një familje të madhe politike, që për 35 vite ishte shembull i demokracisë dhe meritokracisë”, shkroi ai mes tjerash.
Pas këtyre reagimeve, vetë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është përgjigjur vetëm me një fotografi.
Ndërkohë, zyrtarë të tjerë të LDK-së kanë qenë të zëshëm kundër kësaj ideje, duke mbrojtur pozitat e tij dhe duke e kundërshtuar kërkesën për lidership të ri brenda partisë.