Gjykata Supreme e Kosovës ka sot afatin e fundit për të marrë vendim mbi ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë lidhur me zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.
Pas nxjerrjes së aktgjykimeve, pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të dalë me njoftim për certifikimin e rezultateve.
Nga KQZ kanë bërë të ditur se janë në pritje të vendimeve të Gjykatës Supreme për të vijuar më tej me procesin.
“Aktualisht, procesi zgjedhor është në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 15 mars 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë vendimet e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare,” thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Pas certifikimit të rezultateve, pritet që subjektet politike të nisin përgatitjet për fazën e formimit të institucioneve të reja./