Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla në një konferencë për media ka deklaruar se konfiskimet në operacionin e së premtes në fshatin Rodel të Leposaviqit dëshmojnë se strukturat paralele të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” vazhdojnë të jenë aktive në territorin e Kosovës.
Sveçla ka thënë se gjatë aksionit të sotëm të policisë janë konfiskuar pajisje të ndryshme, uniforma ushtarake, armë dhe municion të ndryshëm.
Madje, ministri ka thënë se terroristi Millan Radoiçiq është kopula e këtij organizimit, i cili sipas tij po mundohet që mbetjet e grupeve terroriste të vazhdojë t`i mbajë gjallë në territorin e Kosovës.
“Si rezultat i këtij operacioni janë zbuluar pajisje të ndryshme, uniforma ushtarake, armë dhe municion të ndryshëm por edhe dokumentacione indruktinuese të cilat dëshmojnë se realisht strukturat paralele, mbrojtja civile vazhdon të jetë aktive në territorin e Kosovës. Ky zbulim ka ndodh disa kilometra larg kufirit apo brenda kufirit Kosovë – Serbi në fshatin Rodel. Ne në vazhdimësi po zhvillojmë aksione të cilat kanë për qëllim që të sigurojnë qetësi, rend dhe ligj në çdo pjesë të territorit të Kosovës. Në anën tjetër Serbia vazhdon të strehojë terroristin Millan Radoiçiq i cili është kupola e gjithë këtij organizimit, i cili po mundohet që mbetjet e grupeve terroriste të vazhdojë t`i mbajë të gjallë qoftë në territorin e Serbisë, po ashtu edhe brenda territorit të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla në konferencë.
Tutje, ai u ka bërë ftesë të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e grupeve terroriste që të dorëzohen, si dhe të gjithë ata që kanë cenuar Kushtetutën e Kosovës të përgjigjen para saj.
“Ne iu bëjmë ftesë të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtyre grupeve terroriste të dorëzohen që të dorëzojnë pajisjet, armët dhe mjetet tjera luftarake në mënyrë që t`i kthehen jetës normale. Të gjithë ata që kanë shkel ligjin, të gjithë ata që kanë cenua Kushtetutën e Kosovës duhet të përgjigjen para saj, ne mbesim të vendosur dhe të përkushtuar që siguria të mbizotërojë në çdo cep të Republikës së Kosovës”, tha ministri.