Besnik Tahiri, anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka bërë të ditur se nuk do të jetë deputet i kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se kjo është konfirmuar edhe nga certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në një postim në Facebook, ai i ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe që e kanë votuar, por uroi edhe kolegët e tij të AAK-së që arritën të fitojnë ulëse në Kuvend.
Tahiri shtoi se është i lumtur me punën e tij që ka bërë në legjislaturën e kaluar të Kuvendit.
“Unë do të vazhdoj të jem i njëjti, por do të më duhet do kohë për të analizuar dhe reflektuar mbi këtë çka ka ndodhur. Në veçanti, më duhet të analizojë cilat janë arsyet që votuesi i AAK-së në një përzgjedhje preferenciale, me mundësi të zgjedhjes së 10 kandidatëve nuk e kanë parë të rrugës që unë të jam njëri prej dhjetëve në preferencën e tyre”.
“Përndryshe, jam krenar për punën që bëra në 4 vitet e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe thellësisht mirënjohës për 9,693 qytetarë që votuan dhe besuan se duhej të vazhdoja si përfaqësues i tyre në Kuvend”, ka pohuar Tahiri.
Tahiri shtoi se ngritjen e ka synim, por dorëzimin asnjëherë.
Instituti i Kosovës për Drejtësi në fillim të këtij viti e ka shpallur Besnik Tahirin si një prej deputetëve më aktivë të legjislaturës së fundit.