Live

Jeta dhe arti i Hevzi Nuhiut përurohet në Prishtinë

14:00 / 29 Korrik 2019

Nga Kosova Live

Nën organizim të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LShK) dhe shoqatës së gazetarëve të Luginës “Etika”, të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë përurohet monografia e autorit italian, Giulio Palange, “Hevzi Nuhiu”, e cila i kushtohet jetës dhe veprës së skulptorit preshevar që jeton në Itali, Hevzi Nuhiu. Kjo monografi përmban edhe disa vështrime të emrave të njohur të artit në Itali, si dhe një varg punimesh të skulpturës së këtij artisti.
Në këtë përurim pritet të flasin njohës të veprës së Nuhiut.

Hevzi Nuhiu shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Preshëvë ndërsa përfundoi studimet në Shkup. Që nga 1983 jeton dhe vepron në Shën Mitër Korone (San Dometrio Corone), rreth 500 km larg qytetit të Kozencës, krahinë ku sot prania e ngulimeve arbëreshe është më e madhja në Itali. Është përshtatur në mjedisin ku ende flitet arbërishtja dhe gjallojnë rite të ndryshme, që arbëreshët morën nga atdheu i tyre, Arbëria e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Skulpturat e Nuhiut kanë zënë vend nëpër galeritë më prestigjioze të Italisë që prej vitesh. Ekspozitën e fundit e ka pasur para pak vitesh në Vatikan.

Shpërndaje në

U Kopjua