Live

Të gjitha shkeljet dhe aktet jodemokratike të Mustafës dhe LDK-së

15:04 / 05 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk e ka publikuar listën e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, të cilët u zgjodhën të shtunën në Kuvendin IX Zgjedhor, ku për një mandat të ri kryetar u rizgjodh Isa Mustafa.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, u ka thënë të hënën medieve se kjo listë do të publikohet në ditët në vazhdim. “Unë nuk e kam, si ta marr ua dërgoj se të gjithë po e kërkoni”, ka thënë zëdhënësi.

Isa Mustafa u rizgjodh ne krye të LDK-së në Kuvendin e IX zgjedhor dhe këtë pa asnjë kundërkandidat. Mazllum Baraliu, njohësi i çështjeve kushtetuese dhe politike, e ka quajtur rizgjedhjen e Mustafës kryetar pa asnjë kundërkandidat, si një akt jodemokratik, kurse procesin zgjedhor brenda LDK-së të manipuluar.

“Nuk është demokratik një proces, në të cilin me aklamacion vetëm një kandidat shkon dhe të tjerët pamundësohen të marrin pjesë në një proces demokratik”, ka thënë ai për gazetën e Prishtinës “Zëri”.

Një përçarje sado e mohuar nga anëtarët e LDK-së duket se është prezent. Deklaratat e ashpra të Fatmir Sejdiut dhe Melihate Termkollit ditën e shtunë menjëherë pas zgjedhjeve, e pohojnë këtë fakt. Deputetja Tërmkolli e ka quajtur proces jo demokratike Kuvendin zgjedhor të LDK-së, kurse liderin Isa Mustafa “argat të Rrahman Morinës” .

“Është tragjike që LDK nga një parti demokratike e interesit nacional, udhëheqëse e proceseve më të mëdha të shtetit, që e ka bërë këtë shtet, të tkurret në një parti të interesave të një grupi të ngushtë e që në të shumtën e rasteve janë interesa bizensore, është diçka që nuk mund te pranohet nga kjo parti”, ka thënë deputetja Melihate Tërmkolli.

Ndërkaq, ish – kryetari i LDK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka quajtur LDK-në “një parti që po udhëhiqet nga mentaliteti komunist”.

Edhe Vjosa Osmani, ndonëse jo aq e zëshme sa në Kuvendin VIII – të para 5 viteve, ka thënë se “LDK ende nuk po arrin të aplikojë standarde të duhura demokratike”.

Sidoqoftë, ende pa u bërë dy ditë nga mbajtja e Kuvendit mediat kanë raportuar për dorëheqjet e para nga LDK-ja. Shpejtim Bulliqi, ish- deputet i kësaj partie, pas zgjedhjes së Mustafës kryetar, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme.

“Nga sot nuk do të jem pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, arsyeja është zhvillimet e fundit në Kuvendin Zgjedhor të partisë, kulmi ishte rizgjedhja e personave të cilët e kanë kapur LDK-në për interesa personale”, është shprehur Bulliqi.

Po ashtu, jo zyrtarisht merret vesh se dorëheqje ka dhënë edhe nënkryetari i deritanishëm i LDK-së, Sabri Hamiti, i cili, menjëherë pas përfundimit të punimeve të Kuvendit të LDK-së, thuhet se është tërhiqur nga të gjitha funksionet e kësaj partie.

Burime anonime nga LDK-ja thonë se Isa Mustafa u ka rezervuar, të paktën dy vende udhëheqëse (në Kryesi dhe në Këshillin e Përgjithshëm) njerëzve të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova. 

(kosova.live/press)

Shpërndaje në

U Kopjua