Mbrëmjen e së mërkurës (23 prill), në lagjen Emshir të Prishtinës, një person mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri.
Klankosova.tv mëson se i plagosuri është N.Krasniqi, rreth 25-vjeçar, ndërsa i dyshuari kryesor siç raportoi mbrëmë Klan Kosova është Valton Sadiku.
I njëjti është duke u trajtuar në QKUK, dhe sipas drejtorit të Emergjencës në Prishtinë, Naser Syla, ai është jashtë rrezikut për jetë.
Sakaq, në raportin e policisë ceket se lidhur me rastin janë identifikuar dy të dyshuar.
“Raportohet se viktima mashkull kosovar është plagosur me armë të zjarrit nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.
Sipas burimeve të Klankosova.tv, të dyshuarit ikën me veturë nga vendi i ngjarjes, derisa motivi ende është i paqartë.
Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.