Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë si asnjëherë më parë ka qenë të martën vendtakim i shumë yjeve të futbollit të viteve të 80-ta dhe i bashkëkohanikëve të Legjendës, për të nderuar veprën dhe karrierën e ish-presidentit të FFK-së në turneun e parë përkujtimor të organizuar nga FFK-ja, me veteranët e Prishtinës, Llapit, Flamurtarit të Vlorës dhe Tetovës.
Përveç ekipeve pjesëmarrëse këtë turne krahas familjarëve të Legjendës e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe shumë shokë e miq të tij, në mesin e të cilëve edhe Paskal Papadopolos, Brian Deane e Carl Shieber, derisa të pranishëm ishin edhe Sokol Kushta, i cili i kishte shënuar gol Partizanit të Beogradit pikërisht në ndeshjen në të cilën kishte luajtur edhe Fadil Vokrri, si dhe ish bashkëlojtari i tij, Fadil Muriqi, i cili jeton në Australinë e largët.
Në ndeshjen e parë gjysmëfinale veteranët e Tetovës u treguan më të mirë se ata të Flamurtarit të Vlorës, duke i mundur me rezultat 6:2. Tre gola për tetovarët i shënoi Artim Shaqiri, derisa me nga një gol kontribuuan Skender Jonuzi, Harun Isa dhe Husein Kadriu, derisa për vlonjatët shënuan Eqrem Memushi dhe Kreshnik Çipi. Ndërkaq, në ndeshjen tjetër gjysmëfinale, veteranët e Prishtinës vetëm pas serisë së penalltive arritën të mundin veteranët e Llapit, 4:3, pasi ndeshja në kohën e rregullt (dy herë nga 20 minuta) u mbyll me rezultat 1:1. Të parët shënuan llapjanët nëpërmjet Rrahim Kaçandollit, derisa rezultatin e barazoi Muharrem Sahiti.
Lojë interesante u zhvillua edhe në finale, ku dy herë në epërsi ishin tetovarët, por që në fund fituesin e trofeut e përcaktuan penalltitë. Artim Shaqiri shënoi për 1:0, por shifrat i barazoi në pjesën e dytë Eroll Salihu. Tetovarët i riktheu në epërsi Burhan Emerllahu, por ishte sërish Salihu, i cili i barazoi shifrat për t’ia mundësuar ekipit të tij që trofeun ta kërkojnë nëpërmjet penalltive. Megjithatë, nga pika e bardhë më efikas u treguan tetovarët, të cilët në fund fituan me rezultat 7:6.
Në fund të turneut, Muharrem Sahitit i takoi “Këpuca e artë” si futbollisti më i mirë i turneut me numrin 9, derisa golashënuesi më i mirë ishte Artim Shaqiri. Ekipet pjesëmarrëse u nderuan me medalje, derisa Tetova si fituese me trofeun ‘Fadil Vokrri’, të cilin për kapitenin Ismajl Sylejmani e ndau presidenti i FFK-së, Agim Ademi. Do theksuar se në secilën ndeshje në minutën e 9-të u ndërpre loja dhe me duartrokitje u nderua Legjenda, Fadil Vokrri, derisa në finale tifozët ‘Dardanët’ shpalosën një banderolë me figurën e ish-presidentit Vokrri. Në ndeshjen finale të këtij turneu drejtësinë për disa minuta e ndau ish-gjyqtari i njohur kosovar, Ismet Shurdhani.
Ndërkohë në darkën e përbashkët në ‘Emerald’ u ndanë edhe mirënjohje dhe plaketa për personalitete të shquara të futbollit dhe jo vetëm, derisa pjesëmarrësit evokuan kujtime të shumta me Legjendën, duke e vlerësuar si futbollistin më të madh të të gjitha trojeve shqiptare.