Live

“The Handke Project”do të shfaqet të premten në Teatrin e Gjilanit

14:03 / 26 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Të premten, në ora 20:00, në Teatrin e Gjilanit vjen shfaqja “The Handke Project”, nga Jeton Neziraj me regji të Blerta Nezirajt.

Handke Project – Ose, drejtësi për marrëzitë e Peter-it.

Ku përfundon liria artistike dhe ku fillon nevoja për të qenë politikisht korrekt për një artist? A mund të krijojmë art pa u treguar të pandjeshëm? A mund ta ndajmë artin nga artisti? Këto janë disa nga pyetjet e rëndësishme të ngritura në një produksion të ri nga kompania kosovare teatrore Qendra Multimedia. The Handke Project vjen pas turneut të suksesshëm të shfaqjes Balkan Bordello të Qendrës, e cila u luajt nëpër Evropën Juglindore si dhe në teatrin legjendar të Nju Jorkut La MaMa.

“The Handke Project” ka për temë qendrore vendimin kontravers për përcjelljen e nderit të të qenit laureat i çmimit Nobel për letërsi tek shkrimtari austriak Peter Handke, përkundër mbështetjes së tij të mirë-dokumentuar për Sllobodan Millosheviqin, i cili vdiq gjatë gjyqit për krime lufte në Hagë. Kjo mbështetje u zgjerua deri në një fjalim të Handkes pranë varrit të Millosheviqit. Në “The Handke Project”, Qendra merr këtë moment si pikënisje për të eksploruar atë se si çmohet dhe promovohet arti atëherë kur i tejkalon kufijtë e dinjitetit themelor njerëzor, humanizmit dhe etikës.

Për këtë produksion, Qendra ka bashkuar një ansambël pan-evropian të shkrimtarëve, performuesve dhe artistëve nga Kosova, Italia, Gjermania, Serbia e më gjerë, secili prej të cilëve ka sjellë një perspektivë të veçantë në këtë vepër. Këtu përfshihen dramaturgia e njohur serbe Biljana Srbljanoviq e cila do të ndihmojë si dramaturge dhe shkrimtarja kroate me bazë në Gjermani Alida Bremer, e cila në shtypin gjerman ka shkruajtur gjerësisht për Handken.

“The Handke Project” është një performancë teatrore për shkrimtarin që me librat dhe qëndrimet e tij ka fabrikuar e ka përmbysur faktet e luftërave në ish Jugosllavi; ka nxitur dhe përkrahur ideologjinë e ‘tokës së djegur’, si dhe u ka thurur elozhe poetëve e filmbërësve militantë, të konvertuar në ‘inxhinierë të projekteve gjenocidale’. Në varrimin e kriminelit Millosheviq, Handke i thoshte masës së njerëzve të etur për gjak, se ai “nuk e di të vërtetën” dhe se prandaj është “këtu afër Millosheviqit, afër Serbisë”. Vuajtjen e srbëve Handke e krahasonte me vuajtjen e hebrenjvee në kohën e nacizmit!

Artistë nga Kosova, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Italia, Maqedonia e Veriut, Franca, Mali i Zi e Gjermania diskutojnë e trajtojnë ‘marrëzitë e Peter-it’, nën dritë edhe të luftës në Ukrainë e në një kohë kur shumë institucione kulturore në Evropë po u kërkojnë artistëve nga Rusia, që publikisht t’i shprehin qëndrimet e tyre ndaj luftës në Ukrainë. Një vijë e kuqe është duke u vënë ndaj krejt atyre artistëve rusë që në një mënyrë apo tjetër janë përkrahës të Putinit dhe të luftës.

Aktorët:

Arben Bajraktaraj (FR), Ejla Bavćić (BiH), Adrian Morina (RKS), Klaus Martini (IT), Verona Koxha (RKS), Anja Drljević (MNE)

Dramaturge: Biljana Srbljanović.

Bashkëpunëtore artistike: Alida Bremer.

Skenografe: Marija Kalabic.

Kompozitor: Gabriele Marangoni.

Koreograf: Gjergj Prevazi.

Kostumograf: Blagoj Micevski.

Dizajni i dritave: Yann Perregaux.

Dizajni I tingullit: Leonardo Rubboli.

Tempo Reale.

Asistent i regjisë: Sovran Ndrecaj.

Menaxhere e produksionit: Aurela Kadriu.

Asistente e produksionit: Flaka Rrustemi.

Shpërndaje në

U Kopjua