Live

“U dëgjuan breshëri të të shtënave”, Bajrush Xhemajli dhe Kamber Buqolli dëshmojnë për maltretimet në burgun e Dubravës

20:57 / 05 Mars 2025

Nga Kosova Live

Bajrush Xhemajli dhe Kamber Buqolli u dëgjuan në cilësinë e dëshmitarëve/të dëmtuarve, të mërkurën në gjykimin për krime lufte ndaj Gavrilo Milosavleviq. Ata treguan për përjetimet në burgun e Dubravës.

Në këtë rast, Gavrilo Milosavleviq në cilësinë e gardianit në burgun e Dubravës po akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Xhemajli, i cili është njëherësh ish-kryetar i Ferizajt dhe ish-deputet, rrëfeu për ngjarjen e ndodhur në prill të vitit 1999 në burgun e Dubravës, ku si i burgosur tha se ishte dëshmitar i maltretimeve që u ishin bërë të burgosurve nga, siç tha ai, gardianë e policë me uniforma të ndryshme.

Dëshmitari tregoi edhe se ishin nxjerrë nga pavionet e burgut dhe ishin renditur në rreshta, kinse për t’i dërguar në burgun e Nishit, mirëpo aty sipas tij ishin qëlluar nga një breshëri armësh të ndryshme.

“Janë dëgju breshëri të të shtënave prej armëve të ndryshme që më vonë menja ma ka marrë që ka pas snajper, minahedhës, ndoshta mitraloz, por ka qenë breshëri e tërë”, shtoi ndër të tjera Xhemajli.

Ai tha se e kishte parë tani të akuzuarit Milosavleviq meqenëse në burg kishte qëndruar katër vite dhe se ai njihej me psudonimin “Gagi”.

Xhemajli tregoi për rastin kur pas bombardimeve ishin dërguar në sallën e sportit në burgun e Dubravës. Aty tha se e kishte parë tani të akuzuarin, i cili ishte i armatosur si gjithë të tjerët.

“Ne ishim të fundit që erdhëm dhe u ulëm dhe na thanë me u ulë ashtu në gjunj, na thanë gardianët e policët të uniformuar të ndryshëm jo uniforma të njëjta, disa me maska, disa pa maska…pritshim çka po na gjen…diku te dera e kam pa edhe Gagin”, thotë Xhemajli.

Ndërsa, në sesionin e pasdites u dëgjua dëshmitari Kamber Buqolli, i cili po ashtu ka qenë i burgosur në Dubravë.

Edhe Buqolli rrëfeu se si ishin maltretuar përgjatë periudhës se bombardimeve, e po ashtu ngjarjen në sallën e sportit, ku ishin grumbulluar me të plagosurit

Edhe ky dëshmitar theksoi se në atë ngjarje të prillit ’99, kishte të uniformuar dhe të armatosur.

Buqolli, tregoi se si një gardian iu kishte dhënë urdhër që të rreshtoheshin kinse për t’i numëruar, por që ishin qëlluar, sipas tij, me të gjitha llojet e armëve, ku edhe kishin mbetur shumë të vrarë.

“Aty kanë mbetur dikun 200 e diçka të vdekur, unë jam rrëzu, nuk e di as vetë, dy i kam pas të vdekur përmbi, trutë e njërit i kam pas në qafë timen”, tha Buqolli.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2023, thuhet se Gavrilo Milosavlevq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzor ndaj të burgosurve civil shqiptarë.

Gjithnjë sipas aktakuzës në bashkëkryerje me njësit policore serbe Milosavleviq kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut të dalin 1 mijë të burgosur të vendi i quajtur “Fusha e Sportit”, me pretekstin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.

Tutje në aktakuzë thuhet se menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve ushtarakët serbë kishin gjuajtur në drejtim të të burgosurve me mitraloz, mortajë dhe armë të tjera dhe se ky operacion i vrasjes i cili kishte filluar nga 22 maj 1999 dhe kishte zgjatur deri më 24 maj 1999, ku si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarak serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë nëpër pavijonet e Burgut të Dubravës, konkretisht në pavionin “B” dhe “C”, duke i rrahur në mënyrë mizorë dhe çnjerëzorë të burgosurit civil shqiptare.

Në aktakuzë përmend se si disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur edhe Ukshin Hoti, Gani Baliu, Skender Gashi, Mehmet Memqaj, dhe Shkelqim Zllanoga ku të njëjtëve u kishin fikur dritat fillimisht dhe pastaj ju kishin drejtuar me fjalët Ukshin Hotit “ Profesor sherri juaj po na ndodhin bombardimet e NATO-s”, duke e ofenduar dhe sharë gjatë gjithë kohës, sa që në një moment thuhet se roje kishin kapur për fyti Shkelqim Zllanogën ku thuajse ja kishin ndalur frymëmarrje.

Për këto veprime i akuzuari Milosavleviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsi civile”. e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ” LP i RSFJ-së “) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Shpërndaje në

U Kopjua