Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka lënë sot ambientet e spitalit një ditë pasi operacionit për “hernie inguinale” në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Rama ka dalë nga spitali jashtë vëmendjes së kamerave dhe është kthyer në banesë. Ndërhyrja zgjati dy orë dhe sipas mjekëve gjithçka ka shkuar mirë.
Operacioni iu besua pesë mjekëve, të njëjtët të cilët kryen edhe operacionin në muajin prill, kur kreu i qeverisë hoqi apendesitin.
Rama paralajmëroi në fund të gushtit se do të operohet sërish për shkak të një problemi shëndetësor.
Gjatë një vizite në QSUT, ku u përurua spitali ditor, Rama tha se do të paraqitet sërish si pacient, pasi duhet të kryejë edhe një ndërhyrje, për shkak të një problemi me hernien inguinale, shkruan televizioni A2.
“Unë mund të flas edhe si pacient i spitalit që e provova vetë, madje mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje, kam një hernie inguinale që… ia kam mësuar edhe emrin… Se kësaj diskales nuk kërkoj mjek se punoj me forcat e mia, me streçing dhe vetëpërmbajtje para ushqimit që të mos e rëndoj shumë me kolonën e lodhur nga basketbollit, por kësaj inguinales me sa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do të vij prapë”, tha Rama.