Live

U propozua nga AAK-ja si kandidate konsensuale për kryetare të Kuvendit, deklarohet Shqipe Selimi

12:32 / 22 Prill 2025

Nga Kosova Live

Të hënën u mbajt vazhdimi i katërt i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

As kësaj here nuk u arrit të zgjedhet kryekuvendari/ja.

Bazuar në Kushtetutën e Kosovës, propozimi për këtë post i takon partisë së parë, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, e propozuara e LVV-së për këtë pozitë Albulena Haxhiu, në dy raste nuk i mori votat e nevojshme për t’u ulur në karrigen kryesore të legjislativit.

E në herën e tretë, emri i saj nuk u hodh fare në votim, ku kryesuesi i seancës Avni Dehari, e ndërpreu atë pasi ish-kryetari Glauk Konjufca, kërkoi më shumë kohë për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme.

PDK, LDK dhe AAK, nuk kanë lëvizuar nga qëndrimet e tyre.

Ndërkaq, kryetari i kësaj të fundit Ramush Haradinaj, dha një propozim për ta kapërcyer situatën.

Ai propozoi emrat e dy deputeteve të VV-së për kryetare të Kuvendit, atë të Saranda Bogujevcit dhe Shqipe Selimit, bashkëshortes të ish-eprorit të lartë të UÇK-së, Rexhep Selimi.

Klankosova.tv ka kontaktuar me deputeten Selimi, për të një koment nga ajo lidhur me këtë propozim.

“Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë e ka propozimin e saj dhe ne atë e mbështesim dhe e votojmë”, deklaroi ajo shkurtimisht për Klankosova.tv.

Nesër me fillim nga ora 10:00 do të mbahet vazhdimi i seancës së seancë konstituive.

Mbetet të shihet nëse të mërkurën Kuvendi do të bëhet me kryetar/e të Kuvendit.

Shpërndaje në

U Kopjua