Live

Ujësjellësi i Mitrovicës bën thirrje që uji i pijes të vlohet para konsumimit

19:03 / 20 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Ujësjellësi i Mitrovicës bën thirrje që uji i pijes të vlohet para konsumimit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes në konsumin e ujit të pijes.

Përmes një komunikate për media, Ujësjellësi ka bërë të ditur se reshjet e mëdha të shiut kanë bërë që toka të përmbytet nga uji e me të edhe pusetat e ujëmatësve dhe pustetat tjera të jenë të mbushura me ujë të ndotur.

Sipas njoftimit, në një situatë të tillë ka mundësi që uji i shiut nga pusetat të depërtojë përmes ndonjë vrime potenciale në rrjetin e furnizimit. Në këtë rast uji i pijes i cili mund të konsumohet mund të kontaminohet me ujë të papastër.

“Prandaj, në këso situate rekomandohet që uji i pijes të vlohet para përdorimit në mënyrë që të shmangen situata të pa dëshirueshme. Ndërsa në rast se vëreni se uji i pijes është i turbullt gjë që vërehet me sy, rekomandohet që i njëjti të mos përdoret për pije. Po ashtu, lusim të gjithë ata konsumator të cilët posedojnë furnizim të dyfishtë; ujësjellës dhe pus (bunar) të sigurohen që uji nga pusi mos të kthehet në sistem të ujësjellësit pasi që i njëjti mund të ndikojë në kontaminimin e ujit të pijes jo vetëm te shfrytëzuesi por edhe te fqinjët e tyre”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu është bërë e ditur se “si pasojë e dëmtimit të gypit kryesor furnizues, pa ujë të pijes kanë mbetur fshatrat: Nedakoc, Sfaraqak, Pestovë, Novosellë, Lum i Madh, Stanofc Epërm dhe Stanofc i Ulët. Riparimi i gypit të dëmtuar parashihet të filloj nesër në mëngjes dhe shpresojmë që deri në orët e pasdites të sanohet problemi dhe të rikthehet furnizimi me ujë të pijes për këto fshatra”.

Shpërndaje në

U Kopjua