Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pasi publikimit të vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin urdhërohet kryeministri Albin Kurti, që të paraqitet në Prokurorinë Speciale më 04 mars 2025 në cilësinë e dëshmitarit.
Kryeziu, në sqarimin e tij, thotë se sot gjatë ditës Zyra e Kryeministrit i është drejtuar Gjykatës Themelore pikërisht si përgjigje ndaj Njoftimit të saj të datës 21 shkurt 2025.
“Për këtë ne ende po presim përgjigje nga Gjykata”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.
Tutje, Kryeziu thotë se “raportimet e orës të fundit se Gjykata Themelore urdhëron kryeministrin Kurti të paraqitet si dëshmitar, nuk janë përgjigje ndaj letrës sonë që e kemi publikuar sot, por bazohen në Njoftimin e Gjykatës së datës 21 shkurt të cilit Zyra e Kryeministrit i është përgjigjur sot, 28 shkurt”.
“Me ose pa qëllim, deklarata që Gjykata Themelore u ka dhënë medieve sot po përdoret për keqinformim duke krijuar opinionin e gabuar se përkundër përgjigjes së Zyrës së Kryeministrit Gjykata ka urdhëruar Kryeministrin Kurti që të paraqitet në prokurori”, ka shkruar Kryeziu.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër, me të cilin e obligon kryeministrin Albin Kurti, që të paraqitet për dëshmi pranë Prokurorisë Speciale më 4 mars, në orën 10:00.