Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shtime, ku një pacient i Entit Special është dërguar pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Burime të Gazetës Kosovalive bëjnë me dije se viktima është Hamza Hasani, rreth 52-vjeçar. Sipas informatave që ka Kosovalive, ai ishte sjellë në QKMF nga dy punëtorë të Entit Special, të cilët kishin konstatuar se pacienti nuk po jepte shenja jete.
Mjeku kujdestar, ka konfirmuar vdekjen menjëherë pas pranimit të tij në QKMF. Me të marrë informacionin, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore dhe më pas njësitet hetimore rajonale për të ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes” dhe është nën hetim nga autoritetet për të zbuluar rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së të ndjerit.
Gazeta Kosovalive do të raportojë me detaje të reja sapo ato të konfirmohen.