Jose Mourinho i është kthyer futbollit duke u bërë trajneri i ri i Tottenhamit, në vend të Mauricio Pochettinos që u shkarkua nga posti i trajnerit dje. Megjithatë, ky lajm s’i ka bërë të lumtur tifozët e klubit londinez.
Trajneri portugez ka qenë i papunësuar që kur u shkarkua nga posti i trajnerit të Manchester Unitedit, në dhjetor të vitit të kaluar, transmeton Gazeta Express.
Por, tani ai do të zëvendësojë Mauricio Pochettinon në postin e trajnerit të Tottenhamit, pasi argjentinasi u shkarkua nga kjo pozitë të martën.
“Jam i emocionuar që po i bashkohem një klubi me një trashëgimi kaq të mrekullueshme dhe tifozë kaq të pasionuar”, u shpreh Mourinho në deklaratën e tij të parë si trajner i Tottenham.
“Cilësia në skuadër dhe në akademi më emocionon mua. Të punoj me këta lojtarë është ajo që më ka tërhequr mua të vij këtu”.
Megjithatë, nëse Mourinho do të jetë edhe në Tottenham ai që ishte në Old Trafford, ai mund të mos zgjasë shumë as në këtë pozitë, për shkak të përplasjeve me lojtarët, paraqitjeve në fushën e futbollit dhe rezultateve zhgënjyese.
Pikërisht një situate të tillë po i frikësohen tifozët e Tottenhamit. Posimet e këtyre të fundit në rrjetin social Twitter me hashtagun#MourinhoOut ( #MourinhoJashtë) kanë bërë që ky hashtag të bëhet trend në Angli, përkundër që portugezi u emërua vetëm sot në mëngjes.
Por, nën udhëheqjen e Pochettinos gjatë kësaj periudhe, Tottenhami përfundoi në top katërshe të Premierligës katër herë, si dhe arriti në finale të Ligës së Kampionëve në sezonin 2018/19.
Derisa Tottenhami pati një sezon të suksesshëm në Evropë edicionin e kaluar, forma e tij në ligë ka qenë tejet e dobët shumicën e vitit 2019. Që prej fitores 3:1 kundër Leicester City më 10 shkurt, Tottenhami i ka fituar vetëm gjashtë nga 24 ndeshjet e fundit në Premierligë.
Momentalisht, Tottenhami renditet në pozitën e 14-të në Premierligë.