Live

Vijon sot seanca – pas dështimit në zgjedhjen e kryekuvendarit

08:12 / 21 Prill 2025

Nga Kosova Live

Pas dy dështimeve radhazi, deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës më në fund arritën ta konstituojnë legjislaturën e re në përpjekjen e tretë të shtunën.

Me miratimin e raportit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, procesi mori rrjedhë, ndërsa deputetët bënë betimin për mandatin e tyre të ri.

Megjithatë, procesi u ndal kur erdhi radha për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kandidatura e Albulena Haxhiut, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme në asnjërën nga dy votimet: në të parën Haxhiu mori 57 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime; në të dytën, rezultati ishte thuajse i njëjtë,  57 për, 19 kundër dhe 3 abstenime.

Nisma Socialdemokrate dhe dy deputetë të komuniteteve joserbe abstenuan, duke e pamundësuar zgjedhjen e kryetares së re.

Pas dështimit të votimit, seanca u ndërpre dhe pritet të vazhdojë sot në orën 15:00, me shpresën për një marrëveshje të re politike që do t’i japë Kuvendit udhëheqësinë e nevojshme për të nisur punën.

Shpërndaje në

U Kopjua