Aleksandar Vuçiq i ka drejtuar një letër zëdhënëses së Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq duke i kërkuar sqarime në lidhje me rastin e helmimit të zyrtarëve kosovarë nga kutitë me vota të ardhura nga Serbia.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka drejtuar një letër zëdhënëses së Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq duke kërkuar prej saj që publikisht të tregojë nëse serbët i kanë helmuar shqiptarët, raportojnë mediat serbe, transmeton lajmi.net.
Vuçiq reagoi pasi rreth 26 zyrtarë kosovarë që kanë qenë të ngarkuar me numërimin e zarfeve me vota të ardhura nga Serbia janë helmuar. Shkak janë bërë 5 kuti që kanë ardhur nga Serbia me vota, të cilat pasi janë hapur kanë kundërmuar erë.
“Jam i sigurt pas disa ditësh të përcjelljes së aferës së ‘helmimit’ në Prishtinë se keni konkludim rreth asaj që saktësisht ka ndodhur”, shkruan në letrën e Vuçiqit të publikuar në gjuhën serbe dhe angleze në profilin e tij në Twitter, transmeton lajmi.net.
“Andaj, ju lus që opinionit të gjerë t’i thoni nëse ne serbët i kemi helmuar shqiptarët me antraks, navichok, apo ndonjë tjetër helm të rëndë. Nëse rastësisht kjo nuk është e vërtetë, ju lus që publikisht të tregoni se kush kanë qenë mashtruesit që kanë sajuar një gënjeshtër të tillë”, shtoi ai.