Live

“VV duhet ta formojë qeverinë e re” – Mexhiti, aleati i Kurtit në Maqedoni të Veriut përzihet në punët e Kosovës

14:19 / 15 Mars 2025

Nga Kosova Live

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, beson se formimi i institucioneve të reja i takon Lëvizjes Vetëvendosje – partia e cila doli e para në Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit.

Ai ka kërkuar që krijimi i qeverisë së re të ndodhë sa më shpejtë, meqë një gjë e tillë është në “interes të shtetit të Kosovës”.

“Uroj që të kemi një qeveri stabile, e cila do të mund të ballafaqohet me sfidat dhe proceset që e presin. Në këtë drejtim, pra, nuk kam dilemë që Vetëvendosja do t’i prijë këtij procesi drejt formimit të një qeverie stabile, progresive dhe për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai në një intervistë për Kosova Press.

Mexhiti, i cili është kryetar i Lëvizjes Demokratike në Maqedoni të Veriut – pjesë e koalicionit VLEN – ka thënë se e kanë mbështetur dhe ndihmuar LVV-në për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Ne Vetëvendosjen e kemi partner pa marrë parasysh a është në pozitë apo opozitë. Nuk kam asnjë dilemë se fituesi absolut i zgjedhjeve duhet të jetë edhe formuesi absolut i qeverisë së ardhshme të Kosovës. Ky është edhe vullneti i qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndër të tjera, Mexhiti, ka njoftuar se fletarrestet e Serbisë kundër ish-ushtarëve të UÇK-së nuk do të zbatohen më nga policia kufitare e Maqedonisë së Veriut.

Sipas tij është arritur një marrëveshje politike në qeverinë maqedonase. Ai ka thënë se së shpejti do të marrin vendim “që të aplikohet një zgjidhje sistemore, ligjore dhe e përhershme që ish-ushtarët e UÇK-së mos të ndalohen në kufijtë e Maqedonisë së Veriut”.

LVV në Zgjedhjet Parlamentare doli partia e parë me mbi 40 për qind të votave të fituara, por jo mjaftueshëm sa për të formuar e vetme qeverinë e re. Asaj i duhen edhe 13 deputetë shtesë për të formuar një ekzekutiv të brishtë me 61 ligjvënës.

Partia aktuale në pushtet është e bindur se do ta formojë qeverinë e re, ndonëse për një gjë të tillë i duhet një partner qeverisës. Për Albin Kurtin është ende herët të flitet për mundësitë e koalicioneve, meqë lideri i LVV-së fillimisht po pret certifikimin e rezultateve.

Shpërndaje në

U Kopjua