Live

VV-ja prezantoi ‘sukseset’, reagon Bajrami: Faktet para propagandës, qeveria më e dështuar e pasluftës

12:39 / 25 Mars 2025

Nga Kosova Live

Në zhanrin e vet “faktet para propagandës”, Hykmete Bajrami e LDK-së, i ka kthyer pasqyrën përmbys videos propagandistike të Vetëvendosjes, ku supozuan të paraqisnin arritje katërvjeçare të qeverisjes së tyre – në një paraqitje selektive e dëshirore të arriturash.

Bajrami e quajti “qeveri më të dështuar prej pasluftës”.

Postimi i plotë:

FAKTET PARA PROPAGANDËS

Qeveria e LVV-së, është e vërtetë që është qeveria e parë që ka përmbyllur një mandat të plotë, por është mëse e vërtetë se është qeveria më e dështuar prej pasluftës.

Sepse, në Qeverinë e LVV-së:

• Kosova është nën sanksione.

• Që katër vite nuk kemi asnjë njohje, nuk kemi asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

• Kosova kurrë më e izoluar s’ka qenë.

Gjatë kësaj kohe, Kurti i ka lënë trashëgimi Kosovës Marrëveshjen e Brukselit, aneksin e Ohrit dhe ka pranuar draft-asociacionin e komunave me shumicë serbe që çon drejt federalizimit të vendit, apo thënë më mirë drejt defunksionalizimit të shtetit të Kosovës.

Gjendja socio-ekonomike kurrë më e rëndë nuk ka qenë; gjatë këtij mandati Kosova ka përjetuar rritjen më të madhe të çmimeve që nga shpallja e pavarësisë, është rritur çmimi i energjisë elektrike dy herë dhe tani është në proces rritja për herë të tretë. Nuk janë rritur pagat, ato janë rritur vetëm për stafin politik, ndërsa për të tjerët rritja ka qenë pothuajse e pavërejtshme.

Nuk ka pasur zhvillim, nuk ka pasur asnjë politikë reformuese për të përmirësuar ambientin e biznesit, për më tepër shumica e institucioneve që janë të thirrura t’iu shërbejnë bizneseve kanë qenë jofunksionale pothuaj gjatë tërë mandatit si: OSHP, KPMM, AK, KNSH, etj.

Investimet kapitale të nivelit qendror kanë qenë më të ulëtat në historinë e pasluftës, nëse marrim parasysh këtu edhe inflacionin që ka ndodhur. Nuk ka përfunduar asnjë projekt kapital, as ato që në fillim të mandatit ishin në gjysmë si: rruga për Mitrovicë, rruga për Pejë, rruga për Podujevë, rruga për Gjilan, rruga Doll-Gjakovë etj.

• Është dyfishuar kostoja e jetesës së qytetarëve dhe është rritur numri i familjeve që jetojnë në varfëri.

• Ligji për pagën minimale nuk po zbatohet. Rasti i grave që kanë punuar në mirëmbajtjen e ndërtesës së Kuvendit e ka shpërfaqur paaftësinë e kësaj qeverie që as brenda institucioneve s’mund të zbatojnë ligje.

• Investimet e huaja janë krejt në blerje banesash nga ana e mërgatës sonë.

• Është thelluar deficiti tregtar. Kosova e ka mbyllur vitin 2024 me 5.3 miliardë euro deficit tregtar, e ky deficit po thëllohet tutje në vitin 2025.

Arsimi ka degraduar, asnjë vit shkollor s’ka filluar me kohë, eksperimentet me furnizimin me libra kanë rezultuar me qindra e mijëra orë të humbura dhe askush s’ka marrë përgjegjësi. Nuk ka pasur as investime dhe as reforma.

Në shëndetësi nuk ka pasë investime. Kanë lyer ca korridore e klinika, por furnizimi me barna kurrë më i mangët s’ka qenë, la lista të gjata të pritjes për qytetarët, mase jo për qeveritarët. Ndërkohë që po lavdërohen me Ligjin për unifikimin e çmimit të barnave, Ligj të cilin edhe sot e kësaj dite askush s’po e zbaton.

Kjo qeveri shquhet për skandale të korrupsionit. Në më pak se një mandat ka nënshkruar 2,123 kontrata njëburimore. Skandalet me tenderat e KEK-ut, ku njerëz pa asnjë funksion vendosin për tendera milionësh mandej rasti i Nagip Krasniqit, rasti i Martin Berishajt, rasti i Naser Hafizit, rasti i subvencioneve në MBZHR, rasti i subvencioneve në MKRS, rasti i subvencioneve të Ministrisë së Pushtetit Lokal, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe dhjetëra raste të tjera, të cilat edhe sot e kësaj dite merren në mbrojtje prej Albinit e poshtë, tregojnë se qeveria e LVV-së është qeveri e korruptuar dhe asnjë tentativë për të luftuar korrupsionin s’ka pasur – përkundrazi.

Duke marrë parasysh këto nivele të korrupsionit, këta s’kanë qenë të interesuar të bëjnë as Vetting dhe as Byro për Konfiskim të Pasurisë. Këta katër vite kanë tentuar ta kapin sistemin e drejtësisë duke politizuar si KPK-në, ashtu edhe Byronë, në mënyrë që t’i mbrojnë të korruptuarit e tyre.

Është pikërisht kjo qeveri që ka shkelur 10 herë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në Veri sot nuk paguhet rryma as tatimi në pronë, sepse humbjet e energjisë në Veri sipas pasqyrave financiare të KOSTT-it në vitin 2020 kanë qenë 8.7 milionë euro, në vitin 2021 janë 52.6 milionë euro, në vitin 2022 janë 78 milionë euro, e në vitin 2023 janë 35.7 milionë euro. Të gjitha këto paguhen nga KOSTT-i dhe mjetet e buxhetit të Kosovës.

Në Veri sot shumica e institucioneve janë jofunksionale dhe, kurdo që vendoset të kthehet normaliteti atje, kemi me u kthy fiks ku kemi qënë para 4 viteve.

Ndërkohë, asnjëherë nuk treguan pse e lanë Radoiçiqin të ikte për dritë të diellit, derisa e vëzhgonin me kamera.

Sukseset!?

Shpërndaje në

U Kopjua