Live

VV në qendër të akuzave për përkeqësimin e lirisë së mediave në Kosovë

15:16 / 02 Maj 2025

Nga Kosova Live

Rënia drastike e Kosovës në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij” ka ngjallur reagime të forta në vend. Kjo rënie është cilësuar si më e keqja në 15 vitet e fundit sa i përket lirisë së medias.

Për të dytin vit radhazi, Kosova ka shënuar regres në këtë indeks, duke u renditur sivjet në vendin e 99-të nga 180 shtete. Shumica e akterëve publikë kanë drejtuar gishtin kah Lëvizja Vetëvendosje, duke e fajësuar për përkeqësimin e situatës, ndërsa kjo e fundit ka minimizuar rëndësinë e raportit, duke e nënçmuar, raporton Klankosova.tv.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e cilësoi rënien si shqetësuese dhe si pasojë të një “politike të vazhdueshme armiqësore ndaj mediave nga Qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje gjatë dy viteve të fundit”.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, propozoi formimin e një task-force kombëtare për të adresuar sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e shtypit.

Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, reagoi duke thënë se raporti duhet të lexohet si një “listë detyrash për qeverinë”, dhe shtoi se liria e shtypit është shtyllë e çdo demokracie të qëndrueshme.

Ai vuri në dukje se Kosova është renditur madje edhe pas Serbisë, duke ngritur alarmin për gjendjen e rëndë të mediave në vend.

Juristja në fushën e medias, Flutura Kusari, kërkoi me urgjencë krijimin e një Komiteti Kombëtar për Lirinë e Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve. Ajo tha se një nga parakushtet kryesore është ndalja e sulmeve nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

“VV-ja duhet t’i ndalë sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave dhe të shtrijë dorën e bashkëpunimit me mediat dhe organizatat e shoqërisë civile”, shkroi ajo.

Gazetari Adriatik Kelmendi gjithashtu shprehu shqetësimin e tij për këtë rezultat negativ, duke përmendur tentativën e mëhershme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të mbyllur median më të madhe në vend, Klan Kosovën.

Kur Albin Kurti synonte ta mbyllte një media, më të madhën, arsyetohej se Kosova i ka edhe nja 444 media të tjera dhe një më shumë a më pak nuk luan rol,” ka shkruar ai.

Ai ironizoi më tej: “Me rezultatet negative që po i korr Kosova çdo ditë – e fundit sot, rangimi katastrofal për lirinë e medias në vendin e 99-të – nuk e di pse s’po thotë Albini ‘po e mbylli Vetëvendosjen’ që ta shmangim vetëfundosjen.”

Reagime të forta erdhën edhe nga opozita. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se kjo rënie nuk është rastësi, por rezultat i frikës, kontrollit dhe arrogancës politike, transmeton klankosova.tv.

“Një qeveri që ka frikë nga kritika, ka frikë nga populli i vet,” shkroi ai.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se rënia është pasojë direkte e qeverisjes së Vetëvendosjes.

Në të njëjtën linjë ishte edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e cila tha se kjo është renditja më e ulët ndonjëherë dhe se për këtë përgjegjëse është Qeveria.

Ndërkohë, zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, tentoi të minimizojë rëndësinë e raportit përmes një postimi në Facebook.

Ai pretendoi se raporti është ndikuar nga deklaratat e vetë përfaqësuesve të shoqërisë kosovare.

“Këta që sot po reagojnë “të çuditur” me raportin janë ata që kanë dhënë përgjigje para përpilimit të këtij raporti. Pra, raporti flet për Kosovën sikur kanë folur këta të Kosovës. Duke dashur ta godasin Qeverinë përmes raporteve, në fakt janë duke dalë edhe më joseriozë.

Liria, mendimi, liria e mendimit, shprehja, asnjëherë nuk janë ndalur e as s’mund të ndalen. Por, gënjeshtra ka kosto, nëse jo përmes normash, atëherë me humbje kredibiliteti. Dhe për këtë kanë përgjegjësi këta që sot po “çuditen”. /Klankosova.tv

Shpërndaje në

U Kopjua