Me rastin e 26-vjetorit të Betejës së Koshares, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare, aty ku prehen dëshmorët e njërës prej betejave më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Xhafer Gashi, duke kujtuar këtë përvjetor, tha se kjo është një ditë e veçantë, e mbushur me dhimbje, por edhe me krenari të thellë për sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.
“Është një ditë e veçantë me plot dhembje dhe krenari, pasi falë gjakut të sakrificës së gjithë këtyre që sot pushojnë këtu në varreza në po e gëzojmë lirinë. Duke qenë edhe pjesë e kësaj beteje na kujtomë shumë momente të vështira gjatë periudhës së zhvillimit të betejës….Është bërë shumë përgatitje në këtë drejtim, kanë qenë njerëzit më të mirë në procesin e përgatitjes dhe si rezultat i kësaj ka ndodh edhe thyerja e kufirit Shqipëri-Kosovë dhe është zhvilluar një betejë e mirë organizuar”, ka thënë Gashi.
Në kuadër të manifestimit përkujtimor për 26-vjetorin e Betejës së lavdishme të Koshares, në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur Donika Kada-Bujupi, e cila ka theksuar rëndësinë historike të kësaj beteje, të cilën e ka quajtur si një pikë kthese për lirinë dhe shtetformimin e Kosovës.
Ajo rikujtoi nisjen e betejës më 9 prill 1999 dhe rolin udhëheqës të strategut ushtarak dhe heroit kombëtar, Agim Ramadani.
Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në aspektin strategjik beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë jo vetëm marrjen dhe pastrimin e kufirit por edhe krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore etj.
Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.