Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke analizuar raportin ndërmjet Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt, si dhe mundësinë për krijimin e një koalicioni qeveritar.
Në një postim në Facebook, Haliti tha se, pavarësisht se nuk ka informacione konkrete mbi mundësinë e një takimi mes Kurtit dhe Limajt, ai ka një qëndrim të qartë mbi përgjegjësitë që kanë të dy politikanët.
Ai vlerëson se të dy janë shtetas të Kosovës dhe mbajnë pozita të rëndësishme, dhe për këtë arsye, kanë detyrime para elektoratit që i ka zgjedhur.
Haliti shtoi se Fatmir Limaj ka një përgjegjësi shtesë ndaj partnerëve të tij në koalicion, konkretisht ndaj Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Fatmiri ka edhe një përgjegjësi shtesë, që është besë (e besë në politikë s’ka), ndaj partnerit – AAK-së, me të cilin duhet të jetë fer dhe të paktën ta njoftojë për shkurorëzimin politik,” shkroi Haliti.
Ai gjithashtu përmendi se ende mbetet e paqartë nëse ky është një “tymnajë mediatike” për të hapur rrugën për negociata.
Haliti u shpreh se PDK-ja është e vetmja parti që nuk ka qenë pjesë e “kazanit qeverisës” deri tani dhe se kjo i ka mundësuar që të mbajë një qëndrim të qartë në lidhje me negociatat për qeverisjen.
Sipas tij, koalicioni i mundshëm me Vetëvendosjen do të mund të përfshinte një parti të vogël, siç është Nisma Socialdemokrate, për të cilën thotë se Kurtit do t’ia mundësonte ta kalonte ‘ylberin’
“Në vështrimin tim, Kurti ka nevojë për të bërë koalicion me një parti të vogël, e cila ia mundëson kalimin e “ylberit”, siç është Nisma Socialdemokrate, parti me ideologji të majtë si VV“, tha ai.
Ai ka komentuar edhe heshtjen e Limajt e Kurtit, duke shtuar se këto takime janë të mundshme, por ende nuk është arritur një marrëveshje.
Ish-deputeti e sheh heshtjen e dyanshme si një tregues të mundshëm të një marrëveshjeje për mostransparencë.
“Sa i përket heshtjes së Limajt dhe Kurtit, si dhe zhurmës se a janë takuar apo jo, mendoj që janë takuar, por ende nuk kanë arritur të bëjnë marrëveshje. Besoj që kërkesat e Limajt është duke i analizuar Kurti dhe gjithmonë në kto raste ka takim të parë, të dytë dhe të tretë. Heshtja dypalëshe është tregues i mirë që kanë një marrëveshje për mostransparencë dhe për të heshtur”, tha ai.
Haliti është shprehur skeptik për qëndrueshmërinë e një koalicioni të mundshëm ndërmjet VV-së dhe Nismës Socialdemokrate, duke potencuar se ky koalicion do të duhej të përfshinte pakicat, përveç Listës Serbe, për të plotësuar qeverinë.
Sot, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka ftuar për takim përmes një letre kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Në letrën që e ka siguruar Insajderi, Abdixhiku ftohet nga Kurti për diskutimin e proceseve të formimit të institucioneve.
“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së qeverisë, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 09:00 ose 14:00”, thuhet në letër.
Kurti ka lënë dje të nënkuptohet se nuk i ka numrat për formimin e Qeverisë.
Ai ka thënë se disa deputetë të pakicave po shantazhohen nga Beogradi.
Nuk dihet nëse e njëjta ftesë i ka shkuar PDK-së dhe AAK-së.