Live

Zbrazet furgoni me mbeturina në mes të rrugës, agravon situata, qytetarët “kapen” mes vete (VIDEO)

19:34 / 21 Prill 2025

Nga Kosova Live

Atë që Inspektorët e Komunës së Prishtinës nuk e bënë, e bëri KIKS Kosova bashkë me qytetarët e lagjës “Kolovica” në Prishtinë.

Hedhja e mbeturinave mbi kolektorin e qytetit tash e gati dy vjet është kthyer në makth për këta banorë. Mbetjet në këtë pjesë të rrugës shihet qartë që janë të ndërtimit të vrazhdë, e kjo e bën edhe më të pamundur largimin dhe asgjësimin e tyre.

Derisa Kiks Kosova ishte në vendin e ngjarjes duke realizuar intervistë me banorin e kësaj zone, Visar Rrecajn, lidhur me këto problematike, ndodhi e papritura.

Kamera e emisionit kapi një furgon i cili zbrazi mbetje ndërtimi në mes të rrugës.

Arsyetimi i tyre i vetëm ishte se nuk po kanë ku t’i hedhin, ani pse deponia e këtyre mbeturinave është në Hade të Obiliqit. Përveç kësaj, KIKS Kosova pa edhe nga larg se dikush me gjasë erdhi për të hedhur edhe disa mbeturina të tjera, mirëpo posa e pa se kishte kamera e gazetarë, u kthye prapa.

Të shqetësuar për këtë gjendje janë shumë banorë të kësaj ane. Visar Recaj, banori i cili foli për emisionin, nënvizoi edhe një tjetër problem të kësaj rruge.

Rrecaj rrëfeu tmerrin me të cilin përballen çdo ditë në këtë zonë, posa hapin sytë në mëngjes. Jeta në atë pjesë, për të dhe të tjerët, është e papërballueshme.

Problem tjetër serioz po del të jetë edhe ura e improvizuar nga qyetarët ku nën të kalon lumi Preshtevka. Kjo urë sipas Rrecajt përbën një rrezik jetik për banorët.

Një qytetarë tjetër që deshi të mbetet anonim na tha se përmes kësaj ure kalon jo rrallë dhe si pasojë e dëmtimit të saj, iu dëmtua edhe vetura e tij. Krejt çka duan këta banorë të kësaj anë është ndërhyrja e Komunës së Prishtinës për rregullimin e kësaj problematike.

Shpërndaje në

U Kopjua