Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, arriti mbrëmë vonë në Uashington, ku pritet të zhvillojë bisedime me homologun amerikan, Donald Trump.
Zelensky po shpreson që të sigurojë një lloj të garancive të sigurisë që do të mbështesnin ndonjë marrëveshje të paqes të negociuar me Rusinë. Ai gjithashtu pritet të nënshkruajë një pakt që do t’i japë ShBA-së qasje në burimet ukrainase të mineraleve të rralla, raporton televizioni BBC.
Takimi i tyre vjen një ditë pasi Trumpi e priti kryeministrin britanik, Keir Starmer. Pas bisedës me të, Trumpi parashikoi një “takim shumë të mirë” me Zelenskyn të premten më vonë.
Të mërkurën, kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, tha se në marrëveshjen preliminare me ShBA-në parashihet themelimi i një “fondi investimesh” për rindërtimin e Ukrainës.
Sidoqoftë, presidenti Zelensky tha se ishte “shumë herët për të biseduar për të holla”.
Duke cituar një draft-dokument, gazeta “The New York Times” raportoi se Shtetet e Bashkuara do ta ofrojnë maksimumin e shumës së lejuar sipas ligjeve amerikane, por jo doemos tërë shumën.
Shtetet e Bashkuara fillimisht kishin kërkuar minerale ukrainase në vlerë të 500 miliardë dollarëve nga Ukraina, kërkesë që u refuzua nga Kievi, por Uashingtoni më vonë hoqi dorë nga kjo shumë, sipas raportimeve më të fundit të mediave.