Albian Hajdari është futbollisti më i ri i Kombëtares së Kosovës në futboll. Ai ka zgjedhur dardanët para Zvicrës, edhe pse për këtë të fundit kishte luajtur për të gjitha grupmoshat.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur për KosovaPress duke thënë se vendimi i lojtarit erdhi për shkak të lidhjes së tij të fuqishme me Kosovën si dhe edhe për shkak të roli kyç të prindërve të tij, transmeton Klankosova.tv.
“Albian Hajdari ka vendosur me zemër, ka vendosur për Kosovën, ka vendosur për shtetin e prejardhjes së tij. Unë i falënderoj prindërit e tij të cilët e kanë rritur në frymën e atdheut me dashur për Kosovën edhe pse ka lindur atje, edhe pse jetojnë atje, edhe pse ka qenë i Zvicrës, por sigurisht që Zvicra e kupton çfarë do të thotë lidhja e gjakut dhe prejardhja dhe shteti…Është një prurje e mirë e radhës dhe ne sigurisht që do të vazhdojmë pasi është fat për ne që kemi shumë futbollistë të tillë, kemi futbollistë kulminant tashmë të nivelit më të lartë. Është shumë mirë që është bashkë me Fisnik Asllanin he Leon Avdullahun ne Hoffenhaim. Uroj që të jenë të tre po ashtu siç janë duke luajtur në Hoffenhaim të jenë edhe në formacion të Kosovës”, tha Ademi.
Kjo është ardhja e dytë te Kosova pas Leon Avdullahit i cili vetëm pak javë më parë poashtu i tha po Kosovës duke u larguar nga helvetikët. Por, përkundër këtyre zhvillimeve, Ademi thotë se nuk ka përplasje ndërmjet dy federatave.
“Absolutisht nuk ka përplasje as nuk jemi duke u përplasur, kjo është gjithçka mediale, ne jemi në raporte jashtëzakonisht të mira me Zvicrën. uroj suksese Zvicrës, sigurisht që Zvicra i zgjedhë më të mirët e mundshëm por edhe ne Kosova i zgjedhim më të mirët të mundshëm. Tani është radha jonë sepse kemi shumë futbollistë e shumë talentë nëpër gjithë Kosovën dhe do të vazhdojmë kështu”, shtoi Ademi.
Por, apo vjen Hajdari për ta zëvendësuar Amir Rrahmanin në qendër të mbrojtjes?
“Duhet ta kuptojmë që Albioni është një 21 vjeçar dhe sigurisht që e kemi për gjatë kohë në kombëtare. Do të jetë për dhjetë vite e më shumë që do të jetë një futbollist i cili mund ta kenë një karrierë dhjetë vjeçare në kombëtare. Por, gjithsesi është më mirë të themi se është në duet se sa si zëvendësim sepse nuk do të zëvendësohet Rrahmani tani”, tha në fund Ademi.
Në fund Ademi ka thënë se FFK do të vazhdojë të hulumtojë dhe kërkojë futbollistë të cilët mund ta ndihmojnë Kosovën drejt synimeve të mëdha.