Live

ZPS-ja mirëpret aktgjykimin e Apelit ndaj Gucatit e Haradinajt

16:21 / 02 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar mirëpret vendimin e Panelit të Gjykatës së Apelit ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Alex Whiting ripërsërit angazhimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të ndjekur penalisht rastet e frikësimit të dëshmitarëve.

“Unë e mirëpres aktgjykimin e sotëm nga Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara që përforcon sundimin e ligjit në Kosovë dhe i dërgon një mesazh të qartë kujtdo që përfshihet në frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve dhe pengimin e drejtësisë,” tha Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar.

“ZPS-ja i merr këto krime jashtëzakonisht seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht këdo dhe të gjithë ata që përfshihen në këtë akt në çdo rast.”

Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar deklaron se kjo çështje gjyqësore lidhet me kushtet që kërkohen për administrimin siç duhet të drejtësisë dhe çfarë është e nevojshme për ta bërë sundimin e ligjit realitet.

“Dëshmitarët duhet të kenë mundësinë të dëshmojnë pa pasur frikë nga hakmarrja dhe shpagimi”, tha Whiting.

Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, Gjykata e Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ua ka ulur për tre muaj dënimin me burg.

Nga 4 vjet e gjysmë sa ishin dënuar secili, në 4 vjet e tre muaj. Paneli ka konfirmuar shumicën e pikave të aktgjykimit të shkallës së parë kurse ka mbetur në fuqi gjoba prej 100 eurove për secilin.

Shpërndaje në

U Kopjua