Live

DOKUMENT | Një vit zvarritje për 9 tepisonë dhe 7 perde, Kuvendi hap tendet 40 mijë euro “emergjent” për furnizim

09:30 / 19 Qershor 2024

Nga Kosova Live

Kuvendi i Kosovës sërish ka hapur tender për furnizim me tepisonë dhe perde. Ky tender që kap vlerën e 40 mijë eurove është hapur e mbyllur që nga viti 2023. Kuvendi tash po mundohet që këtë furnizim ta bëjë së më shpejt.

Kanë kaluar më shumë se një vit që kur Kuvendi i Kosovës është duke tentuar të blejë disa tepisonë dhe perde.

Tenderi për furnizim me 9 tepisonë dhe 7 perde ishte hapur për herë të parë në vitin 2023, por që atëherë kjo blerje nuk ka arritur të bëhet.

Një sqarim për këtë proces e ka dhënë edhe vetë Kuvendi në njoftimin e shpallur të këtij tenderi, shkruan Demokracia.com.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, aktivitetin e prokurimit për Furnizim me tepisona dhe perde në vitin 2023 e ka zhvilluar 5 (pesë) herë, por procedura ka rezultuar pa sukses në mungesë të ofertave ose në mungesë të ofertave të përgjegjshme. Në vitin 2024, Autoriteti Kontraktues sërish ka vazhduar me procedurën e tillë dhe aktiviteti i prokurimit ka rezultuar pa sukses, në mungesë të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës. Autoriteti Kontraktues, pas anulimit këtë vit, e ka shqyrtuar procedurën dhe aktivitetin e prokurimit e ka ndarë në dy LOT-e, me qëllim të rritjes së konkurrencës për operatorët ekonomikë të kësaj fushe”.

Kuvendi tash ka treguar se blerja e këtyre produkteve është emergjente.

“Ndërkohë, duke pasur parasysh se furnzimi me tepisona për Sallë Plenare është i ngutshëm, Autoriteti Kontraktues planifikon të furnizohet sa më shpejtë që është e mundur me tepisona, në mënyrë që instalimi i pajisjeve në Sallë Plenare dhe furnizimi e montimi i tepisonëve të bëhen (në të njëjtën kohë) jo më larg se në fillim të muajit gusht 2024. • Duke pasur parasysh se është i ngutshëm realizimi i këtij aktiviteti të prokurimit, kërkojmë Autorizim për shkurtimin e afateve normale kohore nga 20 ditë në 10 ditë, në pajtim me LPP Neni 46 dhe në pajtim me Udhëzuesin nr. 001 2023 për Prokurim Publik, Neni 6.2 – Afatet e përshpejtuara kohore”.

E për këtë furnizim tash Kuvendi ka hapur tender, ku edhe po provon që ta mbyll më datën 25 të këtij muaji.

“Furnizimi me tepisona dhe perde. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 25.06.2024. Vlera e parashikuar e kontratës: 40,000.00 euro. Lot 1 – Furnizimi me tepisona, gjithsej 9 artikuj. Lot 2 – Furnizimi me perde, gjithsej 7 artikuj”.

Në dosjen e tenderit është treguar se për tepisona do të shpenzohen 25 mijë euro, kurse për perde 15 mijë euro.

“Lot 1 – Furnizimi me tepisona – Vlera e parashikuar për Lot 1 – 25,000.00 €. Lot 2 – Furnizimi me perde – Vlera e parashikuar për Lot 2 – 15,000.00 €”.

Në fund tregohet se para furnizimit, një vizitë fizike nga kompanitë konkurruese duhet të bëhet edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Vizitë sqaruese para dorëzimit të tenderit. Një vizitë para dorëzimit të tenderit do të mbahet më datën 20.06.2024, në orën 14:00, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Vizita nuk është e detyrueshme, por është e rëndësishme për informim më detal rreth furnizimeve cilat janë objekt i kontratës. Qëllimi i Autoritetit Kontraktues është që me këtë rast t’u sqarojë operatorëve ekonomikë çështje të ndryshme të cilat kanë të bëjnë me realizimin e këtij furnizimi. Gjatë kësaj vizite, Kuvendi i Republikës së Kosovës (Autoriteti Kontraktues) do të mbajë procesverbal me shkrim”. 

Shpërndaje në

U Kopjua