Live

Si dështoi takimi trepalësh në Bruksel, kushtet e Kurtit dhe insistimi i Serbisë në Asociacion

08:08 / 27 Qershor 2024

Nga Kosova Live

Nuk pati takim trepalësh dje në Bruksel, siç pritej, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pranuan të takohen pas më shumë se nëntë muaj nga ballafaqimi i tyre i fundit në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.

Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.

Borrell , ka thënë se pozicionet e dy palëve mbesin të largëta për zbatimin e marrëveshjes.

Ai ka paralajmëruar se dy kryenegociatorët do të ftohen javën e ardhshme në Bruksel nga emisari Miroslav Lajçak.

Pas takimeve dypalëshe në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka kërkuar nga ndërmjetësit evropianë “garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve”.

“Nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjeve pa mirëbesim dhe vullnet të mirë dhe këto vijnë përmes tri garancive të cilat i kam theksuar”, tha Kurti për gazetarët, duke iu referuar tri pikave që Borrell i cilësoi si kushte të vendosura nga Kurti.

“Vetëm nënshkrimi i marrëveshjes sjell sigurinë ligjore dhe juridike në njërën anë, dhe anulon shkeljet e mëhershme”, tha Kurti.

Sipas tij, letra sikurse ajo që Bërnabiq i ka dërguar BE-së vitin e kaluar “janë sulme direkte mbi Marrëveshjen Bazë”.

“Ajo çfarë ne kemi bërë sot është se e kemi mbrojtur Marrëveshjen Bazë. Ajo është nën sulm nga mosnënshkrimi, nga letra e bërnabiq dhe nga liria e Radoiçiqit, i cili përndryshe në Serbi vazhdon trajnimet për sulme të reja”, pretendoi Kurti.

Sipas tij, nuk mund të ketë as normalizim, e as paqe në rajon pa dorëzimin e Radoiçit tek autoritetet e Kosovës.  Kurti, tha se kryeoganziatori i sulmit në Banjskës, Milan Radojiçiq, po “vazhdon të trajnohet në Serbi për sulme të reja”.

“Do të provojmë në fillim të korrikut, më 2 korrik, Bislimi Petkoviq, që do të diskutojnë mbi sekuencimin. Por zbatimi domosdo lyp respektimin e saj. Ne vetëm e kemi mbrojtur marrëveshjen, sepse ajo është nën sulm, nga mosnënshkrimi, nga letra e Brnabiq, dhe nën sulm nga liria e Radojçiqit, i cili vazhdon ushtrimet e trajnimet në Serbi për sulme të reja”, tha Kurti para mediave.

Kurse  në anën tjetër, Vuçiq njoftoi përmes llogarisë së tij në Instagram se gjatë takimit me Borrellin dhe Lajçakun ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe ka shprehur përkushtimin për vazhdimin e dialogut dhe “zgjidhjen paqësore të problemit”.

Ai po ashtu tha se ka përmendur “të gjitha veprimet e njëanshme” të Kurtit.

“E ritheksova përkushtimin dhe gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në kërkimin e një zgjidhjeje kompromisi që synon mbrojtjen e popullit serb dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe shtova se Prishtina nuk është në gjendje të përmbushë atë që ka nënshkruar 11 vjet më parë, përkatësisht formimin e Asociacionit”, shkroi ai në Instagram.

Shpërndaje në

U Kopjua