Live

11 palestinezë u vranë gjatë bastisjes izraelite në Nablus

22:21 / 22 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Trupat izraelite kanë vrarë të paktën 11 palestinezë dhe kanë plagosur dhjetëra të tjerë gjatë një bastisjeje në Bregun Perëndimor të pushtuar, thonë zyrtarët palestinezë shëndetësorë, raporton BBC.

Shpërthime dhe të shtëna armësh u dëgjuan teksa trupat hynë në qytetin e vjetër të Nablus të mërkurën në mëngjes, duke shkaktuar përleshje të armatosura me persona të armatosur palestinezë.

Ushtria izraelite tha se vrau tre militantë të kërkuar të fshehur brenda një shtëpie, të cilët refuzuan të dorëzoheshin.

Disa nga të vrarët jashtë ishin civilë, duke përfshirë dy të moshuar.

Ministria palestineze e shëndetësisë tha se 72-vjeçari Adnan Saabe Baara ishte një prej tyre. Një burrë 61-vjeçar, Abdul Hadi Ashqar, dhe një djalë 16-vjeçar, Mohammad Shaaban, u qëlluan gjithashtu për vdekje, tha ministria e atjeshme.

Një tjetër i moshuar, Anan Shawkat Annab, 66 vjeç, i cili vuajti nga thithja e gazit lotsjellës, vdiq në spital të mërkurën në mbrëmje.

Gjashtë anëtarë të “strofkës së luanëve” dhe grupeve të tjera militante u vranë gjatë bastisjes, thuhet në një postim në Telegram.

Numri i të vdekurve është një më shumë se ai i një sulmi ushtarak izraelit muajin e kaluar në Jenin, i cili ishte më vdekjeprurësi në Bregun Perëndimor që nga viti 2005.

Ajo që e bën këtë bastisje edhe më domethënëse është numri i madh i të plagosurve, me ministrinë palestineze të shëndetësisë që thotë se më shumë se 80 persona kanë pësuar plagë nga plumbat. Pesë spitale të ndryshme në Nablus aktualisht po i trajtojnë ata.

Zyrtari i lartë palestinez, Hussein al-Sheikh, dënoi atë që ai e përshkroi si një “masakër”, ndërsa një zëdhënës i presidentit palestinez Mahmoud Abbas tha se ai e konsideronte qeverinë izraelite përgjegjëse për “këtë përshkallëzim të rrezikshëm, i cili po e shtyn rajonin drejt tensionit dhe një shpërthimi”.

Grupi militant Hamas, i cili kontrollon Rripin e Gazës, paralajmëroi se po “monitoronte krimet në përshkallëzim të kryera nga armiku kundër popullit tonë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe se po i mbaron durimi”.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...