Në javët e fundit në Kosovë janë regjistruar një numër i madh i aksidenteve, ndërkaq vetëm në më pak se dy muaj e gjysmë kanë vdekur 19 persona në aksidente, duke përfshirë edhe foshnje.
Jetë njerëzish po shuhen qoftë për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë, kushteve të rrugës, mungesës së mbikalimit, siç ishte rasti i fundit, i së premtes në Veternik ku një këmbësor humbi jetën pasi u godit nga një veturë.
Në Veternik, në një ndër lagjet e populluara viteve të fundit mungon mbikalimi për këmbësor, projekt ky që ishte paraparë që në muajin maj të 2020.
E, në këtë pjesë të qytetit rastet janë të shumta kur qytetarët në mungesë të vendkalimit për këmbësor kalojnë mbi pengesa për të dalë në anën tjetër të rrugës, rrezik ky potencial për secilin qytetar që kalon andejpari.
Po bëhen thuajse tri vite prej kur ishte planifikuar edhe ndërtimi i një mbikalimi për këmbësor, por që projekti duket se ka mbetur vetëm në letër.
Në maj të vitit 2020, ministri i atëhershëm i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, pati nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me kryetarin e atëhershëm të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku përveç projekteve tjera përfshihej edhe ndërtimi i mbikalimit për këmbësorë në lagjen Veternik.
Përmes peticionit, ai kërkonte që mbikalimi të ndërtohet mes qendrës tregtare “Albi Mall” dhe Kolegjit “Heimerer”.
E, shifrat e Policisë së Kosovës për aksidentet dhe aksidentet me fatalitet janë shqetësuese.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi bëri të ditur për Telegrafin se vetëm në dy muajt e parë të vitit 2023 kanë ndodhur 18 aksidente me fatalitet, në të cilat 17 persona kanë vdekur.
Ndërsa, në ditët e para të muajit mars ka ndodhur dhe një tjetër aksident me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova” në hyrje-daljen Mazgit– Fushë Kosovë, nga i cili aksident vdiq një grua, ndërsa rasti i fundit ndodhi të premten në Veternik të Prishtinës.
Ndërkaq, në total gjatë muajit janar dhe shkurt kanë ndodhur 2,729 aksidente.
E, për aksidentet e shumta në trafik është deklaruar për Telegrafin edhe eksperti i komunikacionit, Muhamet Krasniqi.
Profesori Krasniqi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se qytetarët duhet të shtojnë kujdesin dhe vigjilencën si pjesëmarrës në trafik.
Ai theksoi se respektimi i shenjave dhe rregullave të trafikut nuk duhet të ndodh me raste, por duhet të ndodh pandërprerë sa herë që lëvizim në rrugë.
“Rasti i së premtes i aksidentit fatal të trafikut në Veternik por edhe rastet tjera të aksidenteve në trafik, sërish duhet të na kujtojnë të gjithëve se çdo herë kur jemi në rrugë duhet të shtojmë kujdesin dhe vigjilencën si pjesëmarrës në trafik”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se “edhe kur në rrugë mungojnë shenjat e trafikut secili pjesëmarrës duhet të veproj mbi bazën e rregullave të qarkullimit në trafikun rrugor”.
Krasniqi po ashtu theksoi se faktori njeri është shkaktari kryesor i aksidenteve në trafikun rrugor.
“Ndërsa automjeti, rruga dhe faktorët tjerë në numër shumë më të vogël, mund të jenë shkaktarë të tjerë apo kontribuues të aksidenteve në rrugë”, u shpreh eksperti i komunikacionit.