Ka shkuar në 19 numri i të vdekurve nga sulmet hakmarrëse të ShBA-së ndaj grupeve të lidhura me Iranin në Siri.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, ka njoftuar se mbrëmjen e së premtes ka pasur sulme me raketa nga milicitë e mbështetura nga Irani, të cilat kanë shkaktuar më shumë sulme me avionë luftarakë të kolacionit.
The Guardian raporton se Uashingtoni ka kryer sulmet fillestare pasi Pentagoni njoftoi për vdekjen e një kontraktori amerikan dhe plagosjen e pesë personave nga personeli ushtarak nga një dron “me origjinë iraniane” që goditi një bazë të koalicionit të udhëhequr nga ShBA pranë Hasakeh në Sirinë veri-lindore të enjten.
Lidhur me këtë sulm, sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, njoftoi se me urdhër të presidentit Biden ai kishte nisur “sulme ajrore precize” në Sirinë lindore kundër objekteve të përdorura nga grupet e lidhura me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Shtetit.
Ndërkohë, të shtunën, observatori me bazë në Britani, i cili ka një rrjet të gjerë burimesh në terren, bëri të ditur për vdekjen e 19 njerëzve në valën e parë të sulmeve të ShBA-së, nga ta; tre ushtarë të regjimit sirian dhe 16 anëtarë të forcave të mbështetura nga Irani, duke përfshirë 11 shtetas sirianë.
Kujtojmë se pas këtyre sulmeve, Biden u përpoq të ulte tensionet duke thënë se ShBA “nuk është duke kërkuar konflikt me Iranin, por është e përgatitur të veprojë me forcë për mbrojtjen e popullit tonë”.
Dihet se milicitë e lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit kanë një prani të madhe në të gjithë Sirinë, veçanërisht rreth kufirit me Irakun dhe në jug të Eufratit në provincën Deir Ezzor, ku edhe u zhvilluan sulmet e fundit të ShBA-së. Në anën tjetër, ShBA ka rreth 900 trupa në poste në të gjithë Sirinë verilindore për të mbajtur presionin mbi mbetjet e grupit të Shtetit Islamik dhe për të mbështetur Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, të cilat kontrollojnë pjesën më të madhe të verilindjes.
Nga Pentagoni është bërë e ditur se sulmi hakmarrës ka nisur me dy avionë luftarakë F-15.