Sot kanë hyrë në ditën e 20 barrikadat e vendosura në veri të vendit, ndërsa e fundit u vendos edhe tek pikëkalimi kufitar në Merdar, pjesën e Serbisë.
Vendosja e barrikadave nga grupe kriminale serbe u bë pas arrestimit të ish policit Dejan Pantiq, i dyshuar për sulm ndaj institucioneve të Kosovës, saktësisht zyrave të KQZ në veri të vendit.
Më shumë se 10 barrikada të vendosura nga këto grupe penguan qarkullimin e lirë të njerëzve, ndërkaq edhe reagimi ndërkombëtar në këtë drejtim ishte i dobët.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë kësaj periudhe ishte takuar me zyrtarë të EULEX-it dhe KFOR-it, ndërkaq nga këta të fundit priste intervenimin për t’i larguar barrikadat, ose në të kundërtën do të vepronte institucionet e sigurisë së Kosovës.
Kurti në mbledhjen e fundit për këtë vit të Qeverisë tha se nuk do të ketë bashkëpunim me këta kriminel dhe se të njëjtit do të arrestohen.
“Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminel por do t’i arrestojnë ata. Vendosja e barrikadave është veprim i paligjshëm dhe i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet”, u shpreh Kurti.
Kryeministri foli edhe për bashkëpunimin me KFOR-in sa i përket barrikadave.
“I kemi dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por kjo kohë po shteron me shpejtësi. Ne kemi bashkëpunim dhe bashkërendim me KFOR-in dhe kjo kohë dhe hapësirë e nevojshme i është dhënë KFOR-it, por një gjë duhet të kuptohet se nuk mund të qëndroj edhe parimi i lëvizjes së lirë dhe barrikadat në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë”, tha Kurti.
Ndërkaq, lidhur me përfshirjen e EULEX-it në largimin e këtyre barrikadave, nga ky mision kanë thënë se ata nuk kanë as mandat dhe as aftësi për të hequr fizikisht barrikadat në veri të vendit.
Megjithatë, EULEX-i tha se të gjitha barrikadat janë të paligjshme dhe se ato duhet të hiqen menjëherë, teksa shtuan se situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë shqetësuese dhe e tensionuar.
E të mërkurën, Dejan Pantiq u lirua nga paraburgimi, ndërsa masa iu zëvendësua me arrest shtëpiak.
Lidhur me këtë ndryshim të masës ashpër reagoi kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ndërkaq, nga sistemi i drejtësisë kërkuan nga Kurti dhe Haxhiu që të mos ndërhyjnë në punët e gjyqësorit.
E pas akuzave, Prokuroria ka dal me një deklaratë ku theksojnë se Dejan Pantiq u dërgua në arrest shtëpiak për shkak të aspektit human, pasi i njëjti kishte probleme shëndetësore.
E pasi Pantiqit u zëvendësua masa e paraburgimit me arrest shtëpiak, erdhi një reagim i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë deklaratë të përbashkët thuhet se janë të shqetësuar për situatën e vazhdueshme të tensionuar në veri të Kosovës, ndërsa u kanë bërë thirrje palëve që të përmbahen nga provokimet dhe kërcënimet, e të ndërmarrin veprime të menjëhershme për ta zbutur situatën.
Tutje në deklaratën e përbashkët të BE-së dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-së, thuhet se po punohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike për të ulur tensionet.
SHBA-ja dhe BE-ja thanë mirëpresin garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë ose përndjekjen e atyre që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.
Të dyja kanë thënë se presin nga Kosova dhe Serbia të kthehen në bisedime për të nxitur një “mjedis të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve”.
Pas lirimit në arrest shtëpiak të Pantiqit, pati edhe reagime tjera.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha se i kupton frustrimet e serbëve nga Kosova, por se është koha për të hequr barrikadat.
Ambasadori amerikan, në një intervistë për “Nova”, duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, tha se ky është obligim i Prishtinës dhe se çështja nuk është nëse do të formohet apo jo, por si do të funksionojë dhe në çfarë mënyre do të zbatohet.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, zhvilloi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.
Ai pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.
“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha ai, duke shtuar se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.
Lidhur me largimin e barrikadave ka folur mbrëmë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është shprehur optimist se barrikadat e vendosura në veri të Kosovës do të largohen të enjten.
Ai tha se qytetarët e Kosovës do të kenë arsye për të festuar, teksa shtoi se protestat paqësore janë më të dobishme se sa vendosja e barrikadave.