Live

25 gjyqtarë dhe 10 prokurorë serb kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre deri më tani

17:25 / 15 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor po i shqyrtojnë dorëheqjet e prokurorëve, gjyqtarëve dhe stafit administrtravit nga radhët e komunitetit serb, mirëpo, ende s’ka një vendim final.

Deri tash janë 25 gjyqtarë dhe 10 prokurorë nga radhët e komunitetit serb kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial

Deri më tash, në Këshillin Gjyqësor të Kosovës kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre edhe 119 të punësuar (staf administrativ dhe të tjerë) nga rradhët e komunitetit serb, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, 22 të punësuar si staf administrativ në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, nga radhët e komunitetit serb, i kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Astrit Kolaj nga zyra e informimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës ka thënë se dorëheqjet i kanë dorëzuar vetëm prokurorët dhe stafi administrativ serb që kanë qenë të angazhuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Më 7 nëntor 2022 gjyqtarët dhe stafi administrativ serb në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore në Mitrovicë kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre edhe formalisht.

Ndërsa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës me qëllim të mbarëvajtjes së punës në sistemin gjyqësor dhe mbulimit të mungesës së stafit në mbledhjen e 298-të ka miratuar ndryshimin e planit të punës së Gjykatës së Apelit me numër AGJ.nr.654/2022 si dhe ndryshimin e planit të punës së Gjykatës Themelore Mitrovicë me numër GJA.nr.425/2022.

Ndryshe, largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës duke përfshirë gjyqësorin dhe prokurorinë, ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Sipas Raportit Vjetor për vitin 2021 të Prokurorit të Shtetit, numri i prokurorëve të komunitetit serb është 14 apo shprehur në përqindje i bie 7.69%. Ndërsa, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë janë 19 gjyqtarë serbë. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në

U Kopjua