Organizata INPO ka publikuar raportit vjetor “Indeksi i kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë”, raporton Ekonomia Online.
Shërbimet publike, transporti publik, përfshirja në sistemin e ujësjellësit dhe furnizimi me ujë, grumbullimi i mbeturinave dhe trajtimi i ujërave të zeza, janë ndër shërbimet komunale me të cilat qytetarët e Prishtinës janë më së shumti të kënaqur.
Sipas këtij raporti, të kënaqur me punën e kryetarit Shpend Ahmeti janë shprehur vetëm 18.06 për qind e tyre, kundrejt 45.46 e atyre që janë të pakënaqur dhe 26.41 e qytetarëve kanë vlerësim neutral për punën e kryetarit Ahmeti.
Drejtoresha Ekzekutive në INPO, Albulena Nrecaj, ka dhënë detaje rreth këtij raporti.
“Të dhënat e dala nga anketa përfaqësojnë mendimet e qytetarëve të moshës madhore 18 vjeç e më shumë, ku 50 .12 për qind janë gra ndërsa 49.88 për qind janë burra. Monstra sipas strukturës së vendbanimeve ka përfshirë 79.48 për qind e të anketuarve nga vendbanimet urbane dhe 20.52 për qind nga ato rurale”, ka thënë ajo.
Menaxheri i Programeve në INPO, Shpend Mustafa, ka prezantuar raportin e kënaqshmërisë së qytetarëve të Prishtinës në lidhje me shërbimet komunale.
“Qytetarët kanë vlerësime të ndryshme sa i përket përformancës së organeve komunale. Të kënaqur me punën e kryetarit Shpend Ahmeti janë shprehur vetëm 18.06 për qind e tyre, kundrejt 45.46 e atyre që janë të pakënaqur. 26.41 e qytetarëve kanë vlerësim neutral për punën e kryetarit Shpend Ahmeti”, ka thënë Mustafa.
Nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi, nuk është pajtuar tërësisht me këtë raport, ku specifikoi transparencën e Komunës.
“Ka disa diskrepanca në këtë raport që unë i vërejta por që edhe një pjesë e mirë e këtyre treguesve që i keni marrë janë pikërisht në kuadër të politikave që ne i kemi zhvillu. Ajo që mua më befasoi ishte pjesa e transparencës dhe pjesa se sa persona janë të njoftuar ku ishin vetëm 15 për qind. Vlen të cekët se Komuna e Prishtinës së bashku me komunën e Madridit është shpallur komunat më transparente në Evropë, prandaj vet fakti i transparencës apo mosinfromimi i qytetarëve nuk mund të jetë faji i Komunës”, ka thënë Nushi.