Institucionet vendore nuk kanë punuar sa duhet në sigurinë e trafikut rrugor, pavarësisht mbështetjes së vazhdueshme të OSBE-së.
Kështu u tha në konferencën e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ishte e paraparë të mbahet me kryetarët e komunave të Kosovës, ku pjesëmarrës ishin vetëm kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Refki Suma dhe ai i Mamushës, Abdylhadib Krasniqi, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, deklaroi se siguria në trafik mbetet synimi kryesor i institucioneve vendore.
Sipas Mustafës, duhet një angazhim i përgjithshëm për rënien e aksidenteve.
“Shqetësim për vendin tonë në aspektin e sigurisë mbetët parësor nëpër komunat. Aksidentet e shumta në komunikacion dhe është koha e fundit që ne si institucione të merremi dhe ta minimizojmë këtë fenomen”.
“Një angazhim i përgjithshëm është i nevojshëm për uljen e aksidenteve rrugore. 1 janar nëntor 2019 janë 14 mijë e 311 aksidente, 99 persona me fatalitet, 8640 me dëme materiale. Kërkohet nga të gjithë që të merren masa për sigurinë në trafik. Kështu do t’i kontribuojnë ligjit dhe do ta fitojmë besimin e qytetarëve”.
Kilian Ëhal, nga OSBE-ja theksoi se niveli i besimit të qytetarëve në Policinë e Kosovës kap shifrën prej 61%.
Sipas tij, ky nivel është në gjendje të duhur në krahasim me shtetet e rajonit.
“Falënderoj Policinë e Kosovë për zotimin e tyre të qartë si në zyrat qendrore edhe në rajon. Ka kontribuar drejtpërdrejt në sigurinë e qytetarëve dhe niveli është 61% e besimit të policisë, është një shifër e mirë kur krahasohet me shtet fqinje, ky numër mund të rritet edhe me tej. Njerëzit ndihem të sigurt brenda komuniteteve të tyre”.
Ai njoftoj se gjysma e qytetarëve ndihen më të sigurt në vendet rurale se sa urbane, raporton EO.
“Gjysma e popullatës nuk ndihet e sigurt në vendet urbane derisa më të sigurt qytetarët ndihen në vendet rurale që është indikator perceptimit që duhet të merret parasysh, t’i rrisim përpjekjet tona për ta rritur sigurinë. Perceptimi i sigurisë, ndjenja e të qenit i sigurt dallon nga rajoni në rajon. Ne duhet të bëjmë përpjekje shtesë për veprime të qëndrueshme për të bërë që fqinjët tonë të ndihet i sigurt”.
Ëhal potencoi se pavarësisht ndihmës së madhe që është ofruar nga OSBE-ja, institucionet nuk kanë punuar mjaftë dhe vazhdojnë mangësitë, gjë e cila duhet të ndryshojë.
“Ju si lider të komuniteteve luani rol të rëndësishëm. Shqetësimi ynë mbetet që policia dhe ministria të ofrojnë më shumë ndihmë për një tranzicion të suksesshëm që ta fuqizoj Kosovën në integrim evropian. Për të tejkaluar sfidat duhet të mbështesim në energjinë personale. Përkundër mbështetjes sonë të vazhdueshme nuk është bërë shumë nga institucionet e Kosovës. Për fat të keq ende vazhdojnë mangësitë, korniza ligjore, buxheti për projektet e sigurisë që pengojnë progresin e mirëfilltë në terren. Kjo situatë duhet të ndryshoj, jemi në një udhëkryq”, u shpreh ai.
Nenkoloneli i Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi, ka njoftuar se në vitin 2019 ka pasur rritje të aksidenteve në trafik.
“Gjendja e sigurisë për periudhën janar – nëntor 2019 aksidentet kanë shënuar ngritje, derisa aksidentet me fatalitet dhe të dëmeve materiale kanë shënuar rënie. Iniciativat e tilla që mund të preken nga komunat e vendit. 7 persona më pak të vdekur në këtë vit krahasuar me vitin e kaluar”, ka thënë Rexhepi.
Fejzullah Mustafa nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njoftoj se kanë mungesë të buxhetit për ngritjen e sigurisë në trafik, raporton EO.
“Duhet parashihet buxhet për ngritjen e sigurisë rrugore që MIT-ja ka mungesë të buxhetit. Faktorët kyç njeriu, automjeti dhe infrastruktura. Në Kosovë mosha më e rrezikuar është +18. Kemi pasur fushata për vetëdijesimin e shoferëve në rrugë. Kosova është në mesin e artë sa i përket aksidenteve në krahasim me rajonin”, tha ai.