Trajneri pejan, Arben Muqolli, ka marrë drejtimin e KH Vushtrrisë. Klubi vushtrrias të enjten ka zyrtarizuar marrëveshjen me Muqollin, ish-lojtarin e dalluar të hendbollit.
Muqolli ka punuar gjatë te Besa Famgas, ndërsa është larguar gjatë verës nga klubi pejan. Ai ndërkohë u emërua trajner i Kosovës U20, ndërsa do ta drejtoj Vushtrrinë që pas kthimit në Superligë ka pretendime të mëdha.
Vushtrria ka luajtur dy ndeshje të forta në hapje të kampionatit, por ka pësuar nga Kastrioti dhe Rahoveci. Tani e pret një tjetër derbi, me Prishtinën. Pikërisht ndaj Prishtinës, Muqolli do të debutojë në fundjavë. Muqolli si lojtar ka dhënë kontribut te kjo skuadër.
Vushtrrinë drejt kthimit në Superligë e ka udhëhequr Andon Boshkovski. Ai ka përgatitur skuadrën edhe për edicionin aktual, ndërsa ishte edhe në ndeshjen ndaj Kastriotit. Por Boshkovski ndërroi jetë papritur para një jave.
Vushtrria ka angazhuar lojtarë vendorë e të huaj dhe ka synime për pjesën e epërme të tabelës.