Banorët e lagjes Bërnicë e Epërme të kryeqytetit tash e më shumë se dy dekada nuk kanë ujësjellës.
Andaj zgjidhje e kanë ujin e pusetave, e duhet të udhëtojnë kilometra për të mbushur ujë të pijshëm.
Bërnicasit kishin protestuar në fillim të muajit gusht rreth kësaj çështjeje, e zgjidhje e shpejtë nga komuna e ujësjellësi u është premtuar që atëherë, njofton Klan Kosova.
Por thonë se janë të gatshëm të organizohen sërish nëse një situatë e tillë vazhdon edhe për disa muaj.
Për problemin e këtij fshati dhe zonave të tjera të Prishtinës, nga komuna thonë se së shpejti do të nënshkruajnë kontratën për vendosjen e pompave që të arrihet shtypja e nevojshme e ujit në çdo vendbanim.
Ky projekt aplikohet tash e rreth 5 vite dhe sivjet për të janë ndarë 70,000 euro. E zonat do të përzgjidhen në bashkëpunim me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit.
Sipas shefit të sektorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prishtinë, Habib Qorri, prioritet në kontratën e sivjetshme ka fshati Bërnicë./klankosova/