Live

Grupi Punues i Këshillit Evropian mblidhet sërish për vizat në nëntor

10:02 / 14 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Grupi Punues për vizat i Këshillit Evropian do të mblidhet sërish më 9 dhe 10 nëntor të këtij viti për të diskutuar lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në një deklarim për televizionin ATV të enjten.

Bislimi ka thënë se Kosova është udhëzuar që të përdorë kanalet e veta bilaterale për të diskutuar kërkesat e reja, ashtu që të arrihet konsensus, për të shtyrë përpara procesin në mbledhjen e ardhshëm të grupit punues për viza, që mbahet më 9-10 nëntor të këtij viti.

Ai i ka konsideruar si kushte të reja, idetë që janë diskutuar më 13 tetor në grupin punues për vizat në Këshillin Evropian, lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Numri dy i qeverisë ka thënë se ndonëse asnjë shtet nuk ka pasur hezitime për liberalizimin e vizave, shtetet anëtare kanë pasur tri lloje të qëndrimeve.

“Kemi vende të cilat pa asnjë rezervë e kanë përkrahur liberalizimin e menjëhershëm të vizave për Kosovën, kemi ato shtete, të cilat për arsye të dinamikave politike nuk kanë mundur të japin qëndrimin zyrtar, për shkak se disa sosh janë në mandat teknik të qeverive të tyre, është Italia dhe Suedia, si dhe Danimarka që sapo ka paralajmëruar zgjedhjet e reja. Janë edhe vendet pakicë, të cilat nuk e kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, por dëshirojnë që këtë ta lidhin me disa elemente tjera, të cilat për neve janë kushte të reja, apo kritere të reja. Edhe pse ata pretendojnë se janë vetëm teknikalitete, për ne janë kushte të reja”.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka thënë përmes një postimi në Facebook se të enjten në Bruksel “procesi i liberalizimit të vizave shënoi një hap shumë të rëndësishëm përpara”.

“Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt”, ka thënë mes tjerash ajo.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...