Live

UNICEF: Kosova, me numrin më të lartë të qytetarëve që rrezikojnë të bien në varfëri nga kriza Rusi-Ukrainë

09:09 / 18 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Rreth 35.4 mijë shqiptarë pritet që ti shtohen numrit të të varfërve në vend si rrjedhojë e ndikimit që do të ketë lufta në Ukrainë në ecurinë ekonomike të vendit. Për Kosovën, shifra është akoma më e lartë dhe arrin në 41.5 mijë persona.

Shifrat janë publikuar në raportin e fundit të UNICEF për pasojat e luftës në varfërinë e fëmijëve.

Raporti gjen se nga 35.4 mijë persona që do të bien në varfëri në Shqipëri, rreth 9 mijë prej tyre janë fëmijë. Kjo rritje e varfërisë për rreth 6 mijë fëmijë do të përkthehet në 743 vite të humbura shkollimi, vlerëson UNICEF, që është programi i Kombeve të Bashkuara për fëmijët.

Shqipëria dhe Kosova kanë vlerësimin më të lartë për popullsinë që do të bjerë në varfëri si rrjedhojë e pasojave të luftës.

Sipas shifrave në rajon, në Serbi pritet ti shtohen listës së të varfërve 28 mijë persona, në Bosnjë 17 mijë, në Maqedoninë e Veriut 5.5 mijë, dhe në Mal të Zi me 913.

Në raport me popullsinë e vitit 2021, Kosova kryeson për numrin e lartë të personave që do të bien në varfëri, me 3.7 për qind të totalit të popullsisë, e ndjekur nga Shqipëria me 1.5 për qind, ndërsa më të ulët efektin do ta ketë Mali i Zi (0.1 për qind) dhe Maqedonia e Veriut (0.4) dhe Serbia (0.6).

Raporti i UNICEF thotë se lufta në Ukrainë, dhe rritja e kostos së jetesës si pasojë e saj, ka zhytur miliona fëmijë të tjerë në varfëri në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në muajt e fundit.

Lufta në Ukrainë dhe rritja e inflacionit kanë zhytur katër milionë fëmijë të tjerë në varfëri – një rritje prej 19 për qind që nga viti 2021 – thotë studimi, duke theksuar se fëmijët mbajnë peshën kryesore të krizës ekonomike të shkaktuar nga konflikti.

Raporti thotë se ndërsa fëmijët përbëjnë 25 për qind të popullsisë, ata përbëjnë gati 40 për qind të 10.6 milionë njerëzve shtesë në varfëri këtë vit.

Shqipëria dhe Kosova kanë dhe numrin më të lartë të fëmijëve që do të bien në varfëri në rajon, me përkatësisht 1.2 për qind dhe 2.1 për qind të totalit të fëmijëve.

“UNICEF po jep alarmin për pasojat e kësaj lufte dhe po u bën thirrje qeverive të ofrojnë mbështetje jashtëzakonisht të fortë për mbrojtjen sociale dhe të zbatojnë programe të ndihmës në para për familjet më të rrezikuara me fëmijë”, tha Adeline Hazan, presidente UNICEF France, për AFP.

Pasojat e varfërisë së fëmijëve shkojnë shumë përtej vështirësive financiare të familjeve: sa më e varfër të jetë një familje, aq më e madhe është përqindja e të ardhurave të shpenzuara për nevojat bazë, si ushqimi dhe karburantet.

Dhe kur kostoja e nevojave themelore rritet, paratë e disponueshme për nevoja të tjera si shëndetësia dhe arsimi ulen. Si rezultat, fëmijët më të varfër kanë më pak gjasa të kenë akses në shërbimet thelbësore dhe janë më të prekshëm ndaj dhunës, shfrytëzimit dhe abuzimit, thotë agjencia e OKB-së.

Rritja e varfërisë së fëmijëve në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore mund të rezultojë në 4,500 fëmijë të tjerë që të vdesin para ditëlindjes së tyre të parë dhe 117,000 fëmijë të tjerë të braktisin shkollën vetëm në vitin 2022, paralajmëron UNICEF. 

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...