Instituti Demokratik i Kosovës ka mbajtur debat me kandidatët për deputetë nga subjektet politike me temën “Qasja e subjekteve politike rreth çështjes së gjinekologut në nivel komunal”, raporton Ekonomia Online.
Aty përfaqësuesja e KDI-së, Adelina Hasani, tha se edhe pse disa nga komunat si Kamenica, Kaçaniku e Dragashi ende nuk kanë gjinekolog.
“Komunat ballafaqohen me mungesë të gjinekologut dhe ka raste kur në disa komuna kanë përfunduar me fatalitet në mungesë të gjinekologut dhe kjo paraqet problem të madh për gratë që janë në distancë të madhe”.
“Komunat që nuk kanë maternitet nuk japin as shërbime gjinekologjike. Një problem është tjetër që në disa komuna edhe pse ka maternitet nuk ka gjinekolog. Shumë nga gratë detyrohen që kontrollet e tyre t’i bëjnë në ordinanca private pasi në komunat e tyre nuk ka gjinekolog”, tha Hasani.
Ndërsa Agim Çaka nga koalicioni Nisma-AKR, tha se për shkak të konfliktit ligjor, është thënë që në komunat e lartcekura nuk mund të ketë gjinekolog.
“Në Kaçanik vetë kam bërë vizitë në QKMF unë mund të them atu se kemi një ordinancë me standarde të avancuara por nuk kemi gjinekolog dhe kjo është një sfidë për komunën tonë. 220 lindje për vitin 2018 në Kaçanik, lindje që janë kryer në Ferizaj”.
“Këtu kemi të bëjmë me rrezikimin e dy jetëve atë të nënës dhe fëmijëve. Është potencuar çështja e konfliktit ligjor kinse nuk iu mundësohet me pas gjinekologut aty, nëse këto janë pengesa ligjore ne duhet të ndërhyjnë dhe ta mënjanojmë këtë konflikt ligjor”, tha Çaka.
Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se në komunën e Kaçanikut dhe Kamenicës zyrtarisht ka pas shpallje të konkurseve për gjinekolog në qendrat familjare aty, por që nuk ka aplikuar askush për këtë pozitë, raporton EO.
“Deri më sot nuk është punuar mbi ekipet mjekësore familjare për të punuar në aspektin e ndihmës gjinekologjike. Përveç interesit ekonomik këto shërbime kur ofrohen sipas standardeve të mira nga mjekësia familjare, kanë një qasje më të lehtë për shëndetin familjar”.
“Për momentin jemi një situatë kur në Kamenicë dhe Kaçanik kemi konkurse për gjinekolog por nuk kemi gjinekolog që aplikojnë për vende të punës. Mendoj që duhet një diskutim publik mes të gjitha palëve të interesit. Duhet marrë masa që ndërlidhen me nivelin legjislativ, organizativ dhe atë teknik”, tha Vitia.
Besa Baftiu nga Partia Socialdemokrate, tha se shpesh herë kjo çështje është diskutuar edhe në komisionin për Shëndetësi, por që nuk ka pas mundësi që ata si deputet të bëjnë diçka në këtë drejtim pasi këto kompetenca i kanë takuar vetëm Ministrisë.
“Nga 2014 në vazhdimësi si deputete kemi ngritur këtë shqetësim si komision aq kemi pas fuqi pasi duhet roli i deputetit dhe ministrave në këtë drejtim pasi ata është dashur që të bëjnë një zgjidhje”.
“Ne jemi që shëndetësia në Kosovë të bazohet në bazë të parimeve të OBSh-së, Kamenica ka 36 mijë banorë 50 për qind e bëjnë gra dhe duhet që 6 gjinekolog të jenë aty, por që kjo nuk ka ndodhë”, Baftiu.